Krimi në Vermosh, autori: E vrava ish-kunatin nga frika

Gëzim Aliaj në sallën e gjyqit
SHKODER/ Gëzim Aliaj, në Gjykatë: Mëshirë, kam motrat e fëmijët vetëm.
Pas daljes nga burgu, Vuçinaj më kërcënonte me vdekje
Vrasjen e kam kryer për vetëmbrojtje, sepse nuk kisha zgjidhje tjetër. Kjo ka qenë deklarata e Gëzim Aliajt nga fshati Vukël, bërë përpara trupit gjykues gjatë dhënies së masës së sigurisë pas arrestimit të tij. Gëzim Aliaj u arrestua tri ditë më parë, në fshatin Vukël të komunës Kelmend, me akuzën për vrasje me paramendim të 33-vjeçarit Gjovalin Vuçinaj dhe të plagosjes së shtetasit Bardho Grishaj. Gjykata e Shkodrës, paraditen e djeshme dha masën e sigurisë arrest me burg për Alinë deri në fund të hetimeve për krimin e mbrëmjes së 5 marsit.
Prokurori i çështjes, Vat Staka, e cilësoi të ligjshëm ndalimin e shtetasit Gëzim Aliaj, ndaj të cilit rëndojnë akuzat e vrasjes me paramendim dhe mbajtjes pa leje të armëve, duke kërkuar masën e sigurisë arrest me burg pa afat. Nga ana tjetër, pala mbrojtëse e përfaqësuar nga avokati Hamdi Shullani, kërkoi nga gjykata lehtësimin e masës së sigurisë në arrest shtëpi, sepse sipas tij, i pandehuri është i vetmi krah pune në shtëpi, pasi së bashku më të jetojnë edhe 7 motra dhe tre fëmijët e tij të mitur.
Vrasja e Gjovalin Vuçinajt
Në deklarimin e tij, Gëzim Aliaj e ka pranuar krimin dhe ka sqaruar se me viktimën ka pasur konflikte të herëpashershme. Një javë para se të ndodhte vrasja, Aliaj dhe viktima Vuçinaj janë konfliktuar dhe përleshur fizikisht. Ende sot shihen plagët që kam në kokë, ka pohuar para trupit gjykues i akuzuari. Ai ka deklaruar se është kërcënuar disa herë prej viktimës, gjë për të cilën ka vënë në dijeni edhe Policinë e rrethit të Malësisë së Madhe. Grindja e tyre e fundit ka qenë rreth një orë më parë se të ndodhte ngjarja, kur Aliaj është kërcënuar nga viktima se do ta zhdukte. I pandehuri ka përshkruar edhe minutat e fundit të ngjarjes, e cila, sipas tij, ka ndodhur e pamenduar më parë. Mbrëmjen e së dielës kam shkuar në dyqan për të blerë ushqime dhe disa materiale ndërtimi. Duke qenë i vetëdijshëm për rrezikshmërinë e Vuçinajt, isha i detyruar të mbaja një armë me vete. Sapo më ka parë që po i afrohem dyqanit, ai është ngritur për të më dalë përpara. Duke menduar se ai mund të ishte i armatosur dhe mund të më vriste, nga frika qëllova i pari mbi të. Fatkeqësisht, plumbat kanë kapur edhe bashkëfshatarin tjetër, Bardho Grishaj, i cili në ato momente ishte pranë Vuçinajt.
Konflikti mes autorit dhe viktimës
Sipas dëshmive të dhëna nga vetë i akuzuari Gëzim Aliaj, konflikti mes viktimës dhe autorit ka nisur që në qershor të vitit të kaluar me daljen nga burgu të viktimës. Gjovalin Vuçinaj ishte i dënuar për një vrasje të kryer në vitin 1999 dhe në muajin qershor ai ka dalë nga burgu. Pas kryerjes së dënimit, Vuçinaj është divorcuar nga bashkëshortja e tij, që njëkohësisht ishte edhe e motra e autorit Aliaj. Në lidhje me këtë veprim të Vuçinajt, Aliaj i kishte kërkuar disa herë sqarime, por sipas të akuzuarit, jo vetëm që ish-dhëndri nuk ka dashur tia dijë, por ai mësohet të jetë konfliktuar disa herë me Aliajn, derisa e ka kërcënuar për vdekje. Gëzim Aliaj ka kërkuar para trupit gjykues dhe shtetit ndihmë për familjen e tij dhe drejtësi për vete. Gjykata, për shkak të rrezikshmërisë së veprës penale, atë të vrasjes me paramendim, të kryer për hakmarrje dhe plagosje me dashje, ka gjykuar se i dyshuari edhe për shkak të konfliktit të thelluar mes dy familjeve që janë nga i njëjti fshat, të vuante arrestin me burg pa afat si masë shtrënguese.
1 vit më parë ka nisur konflikti mes Gëzim Aliajt dhe Gjovalin Vuçinajt, për shkak të divorcit të viktimës me motrën e autorit të ngjarjes. Më pas, mes tyre kishte pasur përplasje të vazhdueshme, fizike dhe me kërcënime.
SHKODER/ RITVAN DIBRA