E Diel, 1 Nëntor 2026

Fatmir Xhafaj në krye të komisionit hetimor parlamentar për zgjedhjet e 28 qershorit



Fatmir Xhafa, një nga emrat e spikatur të socialistëve në fushën juridike, është emri më i lakuar në kampin socialist që do të mbajë mbi supe barrën e drejtimit të komisionit hetimor parlamentar për zgjedhjet e 28 qershorit. Xhafa, që është dhe arkitekti i dy projektligjeve që PS-ja do të depozitojë sot në Kuvend, me qëllim ngritjen e komisionit hetimor dhe përcaktimin e objektit të punës së tij, do të ketë mundësinë që nëpërmjet këtij komisioni të provojë nëse akuzat e PS-së për manipulim të zgjedhjeve nga ana e PD-së qëndrojnë apo thjesht ishin një dekor politik për të mbajtur gjallë frymën opozitare. Në bazë të ligjit, projektligji për ngritjen e komisionit është firmosur nga 35 deputetë socialistë dhe në të është paraqitur qëllimi i krijimit të komisionit, çështjet që do të hetohen, propozimet për përbërjen e komisionit dhe afatin e përafërt të përfundimit të hetimeve. Nismëtarët e ngritjes së komisionit do t’i paraqesin sot kërkesë me shkrim kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli.
Përbërja
Mësohet se në nivelin më të lartë të PS-së prej disa kohësh është diskutuar se cili do të jetë personi që do të marrë përgjegjësitë që për herë të parë në Shqipëri të kryejë një hetim të gjerë në lidhje me zgjedhjet. Përzgjedhja e xhafës në këtë funksion është parë në mënyrë komplekse po të kihet parasysh se ai është së pari jurist; së dyti, me përvojë jo vetëm parlamentare, por edhe në zgjedhje, si dhe për faktin se ai ka qenë anëtar aktiv në disa komisione hetimore parlamentare. Një biografi e pasur politike dhe juridike, mbi të cilin socialistët kanë mbështetur shpresat për një kurorëzim të pretendimeve të tyre 8-mujore se në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit pati manipulime masive nga qeveria dhe institucionet e zbatimit të ligjit. Në këtë mision jetik për PS-në Xhafa mësohet se do të ketë mbështetjen edhe të disa deputetëve të tjerë socialistë në zonat e të cilëve mësohet se ka pasur manipulime dhe që zotërojnë një varg të dhënash për mekanizmin e manipulimit. Ndër emrat më të përfolur në korridoret e selisë rozë si anëtarë të këtij komisioni janë ato të Damian Gjiknurit, Alfred Dalipit, Erion Braçes, Ilir Beqës, Arben Ahmetajt etj. Gjithsesi, për të mbërritur deri në formatizimin e plotë të anëtarëve të PS-së në komisionin hetimor do të duhet të pritet së pari vendimi i Kuvendit që i ndez dritën e gjelbër ngritjes së këtij komisioni. Nga ana tjetër mësohet se edhe Grupi Parlamentar i PS-së do të dalë me një vendim për miratimin e listës së emrave të përfaqësuesve të saj në këtë komision.
Komisioni
Ndërsa PS-ja ka filluar përgatitjet e ethshme për skemën e hetimit të zgjedhjeve, ndërkohë bëhet publike edhe mënyra se si do të funksionojë puna e këtij komisioni. Sipas ligjit, kryetarja e Kuvendit, jo më vonë se 5 ditë nga data e marrjes së kërkesës, mbledh Byronë e Kuvendit për të diskutuar mbi kërkesën e nismëtarëve, përbërjen e komisionit dhe caktimin e datës së miratimit në Kuvend. Kërkesa paraqitet për miratim në seancën plenare më të afërt, por jo më vonë se 15 ditë nga data e mbledhjes së Byrosë të Kuvendit dhe brenda 7 ditëve nga miratimi i vendimit, komisioni fillon punën.
Kuvendi nuk mund të vendosë kufizime në objektin e punës, përbërjen dhe kohëzgjatjen e komisionit të kërkuar nga grupi i deputetëve nismëtarë. Në bazë të ligjit, komisioni përbëhet nga jo më pak se 9 dhe jo më shumë se 15 deputetë, por gjithmonë me numër tek. Komisioni përbëhet nga deputetë të partive të pozitës dhe të opozitës, në raporte sa më të afërta përfaqësimi, por diferenca të jetë jo më shumë se një anëtar. Kryetari i komisionit i takon atij grupimi politik, deputetët e të cilit janë nismëtarë të krijimit të komisionit. Në këtë rast zëvendëskryetari i takon grupimit tjetër. Emrat e deputetëve anëtarë të komisionit, raportet e përfaqësimit në komision, si dhe përkatësia politike e vendit të kryetarit dhe zëvendëskryetarit diskutohen në Byronë e Kuvendit, të cilat i propozohen Kuvendit për miratim. Mbledhja e parë e komisionit thirret nga kryetari dhe zëvendëskryetari i tij jo më vonë se tri ditë nga data e marrjes së vendimit për krijimin e komisionit. Mbledhjet thirren dhe drejtohen nga kryetari dhe/ose me autorizimin e tij nga zëvendëskryetari i komisionit. Dhe ato janë si rregull të hapura, me përjashtim të rasteve kur komisioni vendos ndryshe. Mbledhjet e komisionit janë të vlefshme kur në to merr pjesë më shumë se gjysma e anëtarëve të tij. Komisioni merr vendime të ndërmjetme me shumicën e anëtarëve të pranishëm, ndërsa vendimet përfundimtare merren me shumicën e të gjithë anëtarëve të tij. Në ushtrimin e funksioneve të tij, përveç detyrave të parashikuara në këtë ligj, komisioni ka këto drejta dhe kryen këto detyra: a) kryen hetime, sipas përcaktimeve të bëra në këtë ligj; b) thërret titullarë institucionesh për pyetje, si dhe kërkon nga ata informacione ose dokumente zyrtare; c) merr në pyetje dëshmitarë dhe persona të tjerë; ç) merr vendime, sipas rregullave të parashikuara në këtë ligj; d) përgatit dhe miraton vendimin përfundimtar të hetimit, së bashku me mendimin e pakicës; dh) paraqet për miratim në Kuvend raportin përfundimtar.
Thirrja për të dëshmuar
Komisioni thërret dëshmitarë me vendim të ndërmjetëm për të sqaruar rrethana të ndryshme që lidhen me çështjen, sipas rregullave të parashikuara në Kodin e Procedurës Penale. Kur dëshmitari nuk paraqitet pa arsye të përligjura, i kërkohet organeve të policisë të bëjnë thirrjen me forcë të tij. Në shërbim të hetimeve mbi çështjen, komisioni administron dokumente zyrtare, si dhe të dhëna të tjera që ndihmojnë në zhvillimin e hetimeve. Organet kompetente që i disponojnë këto të dhëna dhe dokumente janë të detyruara t’ia përcjellin zyrtarisht komisionit, sipas kërkesës së tij. Hetimet quhen të përfunduara kur përmbushen të gjitha pikat e planit të hetimeve dhe kur komisioni krijon mendim të qartë për çështjen objekt hetimi.

“Mjaft”-i denoncon miratimin e projektligjit të Shërbimit Informativ të Shtetit

Lëvizja “Mjaft” shprehu dje shqetësimin mbi tentativën e fundit të qeverisë shqiptare për të kontrolluar tërësisht aktivitetin e Shërbimit Informativ Kombëtar (SHISH), duke e vendosur këtë të fundit nën tutelën e pakufizuar të kryeministrit Sali Berisha. Sipas saj, ky projektligj nxjerr në pah edhe dëshirën personale të shefit të Ekzekutivit, sikundër është provuar edhe në të shkuarën, për të pasur kontroll ekskluziv mbi çdo informacion shtetëror apo privat, deri në kufijtë e përgjimit të qytetarëve të tij. Sakaq, “Mjaft”-i thotë se kompetencat për të përgjuar janë shtrirë në dy ministri, në Ministrinë e Brendshme dhe atë të Financave), ndaj konfirmimi i SHISH-it me rregullin e përgjithshëm nuk mund të shihet ndryshe veçse si një akt pervers tipik i neodiktaturave ish-sovjetike që shkon deri në kufijtë e vojerizmit. “Kjo nismë tronditëse ekspozon edhe një herë vullnetin e Ekzekutivit shqiptar për të uzurpuar çdo pushtet të mundshëm që ende nuk ndodhet nën kontrollin absolut të kryeministrit dhe kabinetit të tij. Gjithashtu nxjerr në pah rreziqet në rritje që i kanosen demokracisë shqiptare dhe të drejtave e lirive tona themelore nga uria e klasës politike për pushtet të pakufizuar mbi qytetarët e këtij vendi”, - thanë drejtues të lëvizjes “Mjaft” sot para Kryeministrisë, ku me pankarta ironizuese ndaj Berishës qëndruan për disa minuta. Pjesëmarrësit thanë se ndonëse një nga detyrat e reja të Shërbimit Informativ lidhet me mbrojtjen e demokracisë parlamentare nga tentativat për ta përmbysur atë, në fakt vetë projektligji nuk bën tjetër përveçse zbeh kompetencat e Parlamentit si institucioni më i lartë përfaqësues i vullnetit të qytetarëve, duke e kanalizuar kontrollin mbi shërbimet sekrete shqiptare në vendimmarrjen personale të kryeministrit. “Në këtë pikë, përtej renditjeve të përkeqësuara të Shqipërisë në raportet e institucioneve ndërkombëtare, alarmin e vërtetë duhet ta japin shqiptarët, qofshin këta të angazhuar në grupime të ndryshme apo si qytetarë të thjeshtë. Aq më shumë kur sjellja e qeverisësve të tyre po dëshmon një metamorfozë të sistemit nga një demokraci e brishtë e tranzicionit në një tirani të sofistikuar që kontrollon gjithçka”, - ka përfunduar qëndrimi i “Mjaft”-it.

26 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›