Draftet, t’u hapen dosjet edhe gazetarëve
Të hapen dosjet apo të mos hapen, kjo tani është vërtet çështja më e mprehtë dhe e domosdoshme në vullnetin politik e shoqërore të shqiptarëve. Nëse spiunë të Sigurimit të Shtetit bashkëpunëtorë, kanë qenë me mijëra dhe janë në Parlament, në administratë, në institucione kushtetuese, në të tre pushtetet, si ka mundësi të bindemi se nuk janë dhe në pushtetin e katërt, në media. Nuk është aspak e shëndetshme dhe as korrekte që gazetarët, kryesisht drejtuesit, të lihen jashtë sitës së kontrollit, jashtë verifikimit, jashtë hapjes së dosjeve. Nëse drejtues të mediave, një pjesë e te cilëve kanë profesion pikërisht këtë natyrë punë dhe i ka bërë ashtu si mund të jenë, atëherë shfletoni ato dosje dhe le të marrë dijeni gjithkush. Unë dua të di kur ulem në tavolinë me kolegë apo ata me mua, nëse e kemi nisur këtë zanat me “këshillë” të punëtorëve operativë të Sigurimit të Shtetit, nëse kanë apo kemi vazhduar më pas të jenë apo jemi në punë nga Shërbimi Informativ Shtetëror apo Informativ Kombëtar, apo se kështu na shkrepi dhe e pamë si profesion që me gjithë vështirësitë, të jep emër. Unë dhe jo pak miq në media kemi përmendur me dhjetëra herë pseudonime dhe i kemi bashkangjitur përkrah emrave të “gazetarëve” dhe u kanë rënë tamam. Madje, disa prej tyre janë sharë publikisht në media me njëri-tjetrin duke u vënë nofkat përbri. Për sa kohë gazetarët që kanë bërë këtë punë kontrollojnë, drejtojnë, media elektronike, të shkruar, sektorë të rëndësishëm jo pak të informimit publik, ky zanat ka për të qenë gjithnjë i çalë. Por, lidhja organike ka funksionuar, pasi sigurimsat në administratë dhe pushtet kanë mbajtur ato në media, ashtu si ata dinë të mbajnë njëri-tjetrin dhe kjo ka përcjellë privilegje e detyrime të dyanshme, që u kanë dalë në ndihmë sipas rastit palëve. Unë si drejtues në një media, nuk dua që kur një student gazetarie apo gazetar i ri të vijë dhe të flasë apo të punojë me mua, të shkojë nëpër mend, se ky burri mund të ketë qenë spiun, po këta i fshehën dosjet. Aq më tepër kur ne shkruajmë në gazetë apo flasim në televizion, duke pretenduar se dimë apo themi diçka dhe një dosje atje në arkivat e vjetër vyshket dhe pëshpërit. S’dua të mbaroj asnjë lloj kafeje, duke menduar se kam në krah, pemën, harabelin, këpucën, kalemin, kokoren, stilolapsin, diplomatin, perëndinë, apo zeusin. Ta di më mirë se kam emrat e drejtpërdrejtë të dalë nga gjendjet civile. Jo zotërinj, më mirë jo. Kushdo qofshin heronjtë e kësaj lufte të ftohtë, sado të kenë përfituar deri më sot, është shumë e ndershme që të paqtojnë veten dhe familjen e tyre, e të kthehen në një jetë private, që të mos cenojnë më gjatë atë publike. Dhe drafti, projektligji i paraqitur nga deputeti Aleksandër Biberaj, është mirë të mbështetet nga deputetët e partitë që të përfshihen ato shtresa të përcaktuara, pasi është modeli më i mirë, në përgjithësimin e modeleve evropiane ku ka pasur ngjarje me nazizëm, fashizëm apo spiunë si në Shqipëri.
Duke lexuar draftet e Partisë Demokratike, të Partisë Socialiste, të Partisë Demokristiane të paraqitur në Parlament para dy vitesh, ajo që më bënte përshtypje dhe që vërtet nuk më ngjalli korrektesë si lloj mëshire e përdorur, ishte lënia jashtë hapjes së dosjeve të gazetarëve. Kush e ka frikë këtë veprim dhe kush kërkon të fshihet? Kjo bërje nderesh nuk është aspak produkt transparence, sepse nga media në politikë dhe në administratë në nivele nga më të ndryshmet e të lartat kanë hyrë jo pak gazetarë. Ndaj, drafti “Biberaj” i paraqitur dje, m’u duk ndër më të plotësuarit, nga tre draftet e vjetra të vitit 2006, projekt-drafti, i Partisë Demokratike i nënshkruar edhe nga ish-kryetari i grupit parlamentar, Bamir Topi.
Një tjetër moment që është befasues sipas meje është neni 18 i draftit të vjetër të PD-së
Papajtueshmëria që më mirë të ishte lapsus, është ky nen ku thuhet se “kur sipas një vendimi të formës së prerë vërtetohet se deputetë të zgjedhur drejtpërdrejt nga zgjedhësit apo përfaqësues të organeve individuale të njësive të qeverisjes vendore, bashki dhe komuna, kanë figurë të papajtueshme në kuptim të këtij ligji, ata vazhdojnë ushtrimin e mandateve, por komisioni ka për detyrim të bëjë publik në faqen zyrtare të Kuvendit, vendimin e tij. Dhe asnjë kandidat për deputet të drejtpërdrejtë apo kandidat për përfaqësues i organeve individuale të njësive të qeverisjes vendore, bashki dhe komuna, nuk mund të jetë subjekt i verifikimit sipas këtij ligji, pa u shpallur fitues në zgjedhjet parlamentare apo ato lokale”.
Ky nen në mënyrë të dukshme dhe të çuditshme e lejon spiunin, sigurimsin të vazhdojë të jetë deputet dhe pasi i është hapur dosja dhe pasi është zbuluar, mjafton vetëm të hidhet një njoftim në faqen e internetit dhe 5 apo 10 për qind e shoqërisë që janë përdorues interneti e marrin vesh, në mos e bëfshin me kod dhe këtë faqe. Dhe kandidatët nuk mund të filtrohen pa u shpallur fitues. Po ku është atëherë dobia e kësaj nisme që të hapen dosjet? Që ai të vijë përsëri në pushtet, që ai të mos e lërë përsëri pushtetin. Me gjithë dijen e plotë juridike dhe politike që ka në PD, kjo nuk duhet të ishte përcjellë në draft, kaq dukshëm kompromis me sigurimsat. Është hera e tretë e hapjes së lojës me spiunë dhe mirë është me gjithë kurbanin që do të ketë nga të dyja anët e mazhorancës, opozitës dhe medias, kjo betejë me të shkuarën të marrë fund, të mbyllet. Dhe mënyra e vetme për të mbyllur kapitullin e dosjeve, është që t’i hapësh ato. Pastaj kjo ka dhe një të mirë tjetër për demokratët e vërtetë, sepse duke u larguar sigurimsat nga institucionet dhe administrata, atëherë hapen dhe vende pune për ta.