E Shtunë, 31 Tetor 2026

INSTAT: Infrastruktura rrit nivelin e ndërtimit në 3-mujorin e dytë 2008

Sektori i ndërtimit ka pasuar rritje në 3-mujorin e dytë të vitit 2008. Sipas të dhënave nga INSTAT-i, ndërtimi ka pësuar një rritje prej 40 për qind në këtë tremujor krahasuar me një vit më parë. Specialistët sqarojnë se kjo rritje ka ardhur kryesisht nga volumi i punimeve në infrastrukturën rrugore dhe kryesisht në segmentet e rrugës Durrës - Kukës. Ndërkaq, po nga INSTAT-i mësohet se për sa i përket ndërtimit të banesave, ky sektor ka pasur rënie gjatë kësaj periudhe dhe shkak është mungesa e lejeve të dhëna nga bashkitë.

Ndërkaq, edhe përgjatë tremujorit të parë 2008, ndërtimi është sektori që ka pasur rënie në shitje. Sipas INSTAT-it, indeksi i shitjeve në sektorin e ndërtimit në tremujorin e parë 2008 rezulton me një rënie prej 27.9 për qind krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar indeksi u rrit 39.7 për qind. Indeksi i shitjeve në sektorin e tregtisë, hoteleve dhe restoranteve këtë tremujor shënoi një rënie prej 18.8 për qind krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Krahasuar me tremujorin e parë 2007 indeksi i shitjeve u rrit 22.1 për qind. Ndërkaq, me vlera pozitive është sektori i industrisë nxjerrëse, i cili këtë tremujor paraqet 6.3 për qind rritje në nivelin e shitjeve krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Nëndega e nxjerrjes së produkteve energjetike rezulton me 9.3 për qind rritje, ndërsa nxjerrja e produkteve joenergjitike me 2.3 për qind rritje. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, indeksi i shitjeve në industrinë nxjerrëse rezulton me 53.6 për qind rritje. Në degën e industrisë përpunuese, indeksi i shitjeve në tremujorin e parë 2008 ka një rënie prej 4.3 për qind krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Me rënie të theksuar të nivelit të shitjeve rezultojnë nëndegët: punime me dru, fabrikimi artikujve me dru (35.3 për qind), industria kimike (30.4 për qind), industria e kauçukut dhe plastikës (26.0 për qind), fabrikimi i artikujve mineralë e jometalikë 16.9 për qind etj.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›