PS: Ndryshimi kushtetues, e vetmja rrugë për imunitetet
Sekretari për Çështjet Ligjore në PS, Fatmir Xhafaj ka konfirmuar qëndrimin e kësaj force politike se është e gatshme që reformën e imuniteteve ta bëjë nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese. Duke mbështetur propozimet e EURALIUS dhe PACA-s, Xhafaj tha se “opozita ka mbajtur gjatë gjithë këtij debati një qëndrim konstant. Ka vetëm një rrugë për kufizimin/heqjen e imunitetit – përmes ndryshimit kushtetues. Ky është edhe përfundimi i arritur nga projekti i propozuar. E vlerësojmë këtë kontribut thelbësor të projektit dhe e konsiderojmë atë një bazë të shëndoshë për vazhdimin e mëtejshëm të procesit, duke e futur atë në rrugën e përshtatshme kushtetuese e ligjore”, - është shprehur dje Fatmir Xhafa. Sipas tij, në katër vitet e fundit është humbur kohë me propozime të mangëta dhe nuk është trajtuar çështja në themel. “Ka pasur diskutime dhe iniciativa të ndryshme për mënyrën se si do ta adresonim këtë çështje. Për shkak se u lexua keq opinioni i vitit 2006 i Komisionit të Venecias dhe më pas edhe ekspertiza e vitit 2008 nga OPDAT dhe EURALIUS, është humbur kohë përmes iniciativave të dështuara, të cilat nuk kanë adresuar trajtimin e çështjes në themel, por përdorimin e debatit rreth saj në funksion të politikës së ditës’, - ka thënë Xhafaj .