E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drafti i Kodit Ajror, qeveria shkel ligjin

 

Qeveria miraton draftin për Kodin Ajror, pa shfuqizuar vendimin për të njëjtën çështje në kohën e Nanos

TIRANË - Në vijim të filozofisë së saj qeverisëse për të hedhur poshtë çdo punë të bërë nga paraardhësit, qeveria “Berisha” ka prodhuar skandalin e saj të radhës. Bëhet fjalë për një skandal me natyrë sa juridike aq edhe financiare dhe që lidhet me projektligjin “Për Kodin Ajror në Republikën e Shqipërisë”, i cili ka nisur të diskutohet dje në Komisionin parlamentar të Veprimtarisë Prodhuese. Në javën e parë të tetorit, Këshilli i Ministrave ka miratuar dhe ka përcjellë për diskutim në Kuvend projektligjin “Për Kodin Ajror në Republikën e Shqipërisë, i cili dje është marrë në shqyrtim nga Komisioni parlamentar i Veprimtarisë Prodhuese, si komisioni përgjegjës. Por, gjatë diskutimit të këtij drafti, anëtarët e komisionit kanë evidentuar një shkelje të rëndë të ligjit nga ana e ekzekutivit, pasi miratimi i tij është bërë pa shfuqizuar më parë një projektligj tjetër të depozituar në Kuvend që mban të njëjtin emërtim dhe që ka pothuajse të njëjtën përmbajtje. Bëhet fjalë për projektligjin “Për Kodin Ajror në Republikën e Shqipërisë”, me numër 905, i miratuar nga qeveria “Nano” dhe që mban datën 29.12.2004, ndërsa është protokolluar si hyrje në Kuvend, më datë 10.01.2005. Ka qenë fillimisht deputeti socialist, Flamur Hoxha, ai që ka ngritur shqetësimin për këtë shkelje të ligjit nga ana e qeverisë, duke kërkuar shpjegime nga përfaqësuesit e qeverisë që ishin paraqitur për të mbrojtur draftin e ri gjatë diskutimit në komision, se pse ekzekutivi nuk kishte bërë, së pari zhvleftësimin e vendimit të qeverisë “Nano” dhe pse është dashur që të ribëhet një punë nga e para, kur një draft i mëparshëm ka qenë depozituar në Kuvend. Sipas tij, kjo përbën një shkelje të rëndë, jo vetëm ligjore, por dhe një veprim që ka shkaktuar dhe një dëm të konsiderueshëm financiar. “Ne kemi para dy projekte: njërin të depozituar në dhjetor të vitit 2004 dhe një tjetër që e keni sjellë ju tani. Sa është marrë parasysh, në kodin që keni përgatitur ju, materiali i mëparshëm, pra kodi i mëparshëm. Gjithashtu për hartimin e tij janë harxhuar fonde të tjera, prandaj mund të na thoni sa është kjo vlerë”, - tha deputeti Hoxha. Por përfaqësuesi i qeverisë, Ervin Minarolli, në pamundësi për të dhënë një shpjegim në lidhje me këtë problem, është përpjekur që të çlirohet nga përgjegjësia, duke theksuar se, paratë e harxhuara për hartimin e këtij projekti për së dyti, nuk janë të qeverisë shqiptare, por të Komitetit Evropian. Ai ka sqaruar se, drafti i ri, është produkt i një projekti të Bashkimit Evropian për Ballkanin dhe se ai është përgatitur për Shqipërinë nga Eurocontrol-i dhe Instituti i Këlnit në Gjermani. Por, një argument i tillë, nuk ka bindur deputetët e komisionit, të cilët kanë theksuar se, fakti që ky është një projekt i BE-së, nuk do të thotë që të hidhen poshtë paratë e harxhuara për hartimin e draftit të parë, i cili po ashtu, ka qenë pjesë e një projekti i financuar nga europianët. Në përfundim të këtij debati, komisioni me propozim të kryetarit të tij, Ylli Bufi, ka vendosur të ndërpresë diskutimin deri në korrigjimin e gabimit procedural nga ana e qeverisë, duke i kërkuar kësaj të fundit që ta shoqërojë draftin e ri me një shënim, ku të deklarojë se ka shfuqizuar vendimin e 2004-rës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›