E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drafti i PD-së godet dy prokurorë të dosjes “Gërdeci”



Drafti “Për pastërtinë e figurës”, i propozuar nga Partia Demokratike, sjell një “goditje” të drejtpërdrejtë në ekipin e hetuesve të dosjes “Gërdeci”. Ky draft, i cili aktualisht po diskutohet në Komisionin Parlamentar të Ligjeve, eliminon në mënyrë radikale aktivitetin e cilitdo prokurori apo gjykatësi që ka punuar si hetues apo gjyqtar përpara viteve ‘90. Vetëm në rastin e dosjes “Gërdeci” evidentohen lehtësisht të paktën dy prokurorë që kanë hetuar dhe para viteve ‘90. E, ç’është më e rëndësishmja, bëhet fjalë pikërisht për dy prej hetuesve më kryesorë të kësaj dosjeje, të cilët janë thuajse dirigjuesit e hetimit që aktualisht është përqendruar në pistën e trafikimit të armëve. Sipas këtij drafti, cilido prokuror apo gjykatës përjashtohet automatikisht nga ky funksion, mjaft që të ketë punuar në të njëjtin pozicion para vitit 1990. Me shumë gjasa ky draft do të kalojë për votim në Kuvend dhe do të hyjë në fuqi, ndërsa një kriter i tillë është i paprecedent nëse krahasohet me praktikat e zbatuara në të gjitha vendet ish-komuniste, të cilat e kanë kryer këtë proces një dekadë më parë. “Anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe gjyqtarët e prokurorët e të gjitha niveleve të gjykatave dhe prokurorive, funksionarë të lartë të Presidencës, administratës së Kuvendit, të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, të Gjykatës së Lartë, të Gjykatës Kushtetuese, të Prokurorisë së Përgjithshme”, - shkruhet ndër të tjera në këtë draft, i cili detajon të gjitha kategoritë e funksionarëve publikë që do t’i nënshtrohen kontrollit. Por nëse përfshirja e këtyre kategorive është një akt krejt normal, “kushtet e filtrimit” që parashikon ky projektligj duket se cenojnë disa nga prokurorët dhe gjykatësit që sot janë duke hetuar apo gjykuar “dosje të rënda”, që në thelbin e tyre prezumojnë implikimin e funksionarëve më të lartë të qeverisë dhe maxhorancës (e cila ka hartuar projektligjin) në krime dhe trafiqe që kanë shokuar dy vitet e fundit opinionin publik. Së fundi, sikurse është publikuar në të gjitha mediat, dosja “Rrëshen-Kalimash” i është drejtuar Gjykatës së Lartë. Pikërisht dhe në këtë institucion mund të preken dy gjyqtarë, të cilët, edhe kur u votuan në Parlament (me dekret të Presidentit), për pak sa nuk u “dogjën” nga mungesa e votave të një pjese të maxhorancës. Por ç’është më e rëndësishmja lidhet me faktin se drafti i maxhorancës po shënon një “rast unikal dhe të paprecedent” në lëmin e të drejtave të njeriut. Kjo mund të thuhet lehtësisht në kushtet kur të gjithë këta zyrtarë, që kanë punuar para viteve ’90, në thelb kanë qenë “shërbëtorë të ligjit”, e pikërisht për këtë arsye në të gjitha vendet ish-komuniste trajtimi i statusit të tyre u është nënshtruar analizave dhe projektligjeve të ardhura si propozime shkencore dhe jo si propozime të ngutshme politike apo partiake.

23 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›