Meta: “I hapur për dialog me Ramën”
Dy ditë më parë, kreu i LSI-së, Ilir Meta, përshëndeti shqetësimet publike të shprehura nga Pëllumbi, Agolli dhe Meidani për gjendjen e së majtës në prag të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Meta shprehu gatishmërinë e LSI-së për të negociuar, duke mandatuar nënkryetarin Zabit Brokaj si dhe shprehu gatishmërinë për t’u takuar me kreun e PS-së, Edi Rama. “Duke iu rikthyer shqetësimeve të këtyre kolegëve të respektuar dhe me shumë përvojë të Partisë Socialiste, pra zotit Meidani, zotit Agolli dhe të zotit Pëllumbi, unë dua të shpreh edhe njëherë tjetër vendosmërinë time, për të qenë i hapur për dialog, për të qenë i hapur për t’u takuar me zotin Rama sa më shpejt që të jetë e mundur. U kërkoj, si zotit Meidani, si zotit Agolli, si zotit Pëllumbi, meqenëse ata janë pjesë e Partisë Socialiste, që të japin kontributin dhe ndikimin e tyre për t’u realizuar ky bashkëpunim. Dhe për këtë qëllim unë jam sot këtu edhe me prof. Sabit Brokajn, një nga themeluesit e Partisë Socialiste dhe nga kontribuesit më të spikatur të së majtës gjatë gjithë këtyre 18 viteve të pluralizmit dhe të demokracisë, duke pasur besim edhe te angazhimi i tij tepër i sinqertë dhe parimor, për të kontribuar në krijimin e një klime, e cila do të sillte një takim dhe do të rivendoste një dialog, që do të rivinte në vend themelet e një bashkëpunimi parimor, që i shërben jo thjesht interesave të LSI-së apo të PS-së, por interesave të një opozite të fuqishme dhe alternative, por edhe interesave të vendit për zgjedhje të ndershme dhe të lira dhe për të ecur pas zgjedhjeve të qershorit, me shpejtësi drejt Bashkimit Europian”, - tha Meta.
Rama: “Takohem me Metën, por jo për Kodin Zgjedhor”
Negociatave për një afrim të mundshëm PS-LSI, kreu i PS-së, Edi Rama, i është kundërpërgjigjur me të njëjtën mënyrë, ashtu siç bëri edhe me letrën që iu dërgua disa ditë më parë nga kreu i LSI-së, Ilir Meta. Rama deklaroi dje se dera e PS-së për Metën është gjithnjë e hapur, por tema për rishikimin e Kodit Zgjedhor është e mbyllur. Rama e konsideroi të mbyllur këtë çështje, e cila solli acarimin e marrëdhënieve me Lëvizjen Socialiste për Integrim. “Qëndrimi ynë ka qenë dhe mbetet i qartë: Kodi është çështje e mbyllur, dera jonë është gjithnjë e hapur. Po të dojë vërtet të bashkohet dhe të luftojë me ne, Ilir Meta ta thotë dhe mirë se të vijë. Por, fatkeqësisht, u bënë kohë që ai çfarë thotë një ditë, nuk e thotë një ditë tjetër”, - tha Rama.
23 Dhjetor 2008