Prokurori Zamir Shtylla: “Po organizohen aksione për denigrimin tim”
Reagon drejtuesi i dosjes “Gërdeci” pas denoncimit që i bëri ish-i persekutuari. Pas denoncimit, dje u zhvillua një mbledhje urgjente në Prokurorinë e Përgjithshme
Habjon Hasani
Prokurori drejtues i grupit hetimor të dosjes “Gërdeci” u është përgjigjur zyrtarisht akuzave të ardhura nga një ish-i persekutuar në media sipas të cilit Shtylla ka qenë torturuesi i tij. Dje, zyra e shtypit e Prokurorisë së Përgjithshme shpërndau një deklaratë për shtyp nëpërmjet së cilës z. Shtylla sqaronte opinionin publik se akuza publike e ish-të persekutuarit Gëzim Peshkëpia ishte e pavërtetë. Për ta hedhur poshtë pretendimin e ish-të persekutuarit Peshkëpia, Zamir Shtylla ka përdorur një përllogaritje të thjeshtë aritmetike. Shtylla ka deklaruar se në vitin kur Peshkëpia pretendon se është torturuar dhe dënuar prej tij, ai nuk kishte filluar ende punë si prokuror. “Pasi u njoha me intervistën e z. Gëzim Peshkëpia në mediat vizive, dt.21.12.2008, botuar edhe në mediat e shkruara të dt. 22.12.2008, sqaroj:
Deklarimet e z. Gëzim Peshkëpia në lidhje me personin tim janë të pavërteta.
Gjatë gjithë karrierës sime, si hetues dhe prokuror, nuk kam pasur proces hetimor me z. Gëzim Peshkëpia dhe pjesëtarë të familjes së tij. Deklarimi publik në media se z. Gëzim Peshkëpia është hetuar prej meje në vitin 1975 është i pavërtetë dhe ritheksoj edhe një herë se me këtë person nuk kam pasur asnjë raport të lidhur me punën time.
Unë kam filluar punë në gushtin e vitit 1976, një vit më vonë nga sa z. Peshkëpia pretendon se është hetuar”, - ka deklaruar Shtylla.
Denigrimi
Dje, në Prokurorinë e Përgjithshme është bërë një mbledhje me drejtuesit më të lartë teksa disa drejtorë të këtij institucioni u gjendën nën akuza të rënda publike nga disa ish-të persekutuar. Gjatë kësaj mbledhjeje u hodh ideja që secili prokuror që ka hetuar edhe para viteve ’90 të bëjë një “përmbledhje” të dosjeve që ka hetuar në atë periudhë. Prokurori i dosjes “Gërdeci” është shprehur se deklarata e z. Peshkëpia është abuzive dhe është në vazhdën e përpjekjeve për denigrimin e Shtyllës me fakte dhe pretendime publike të pavërteta. “Përpjekjet e bëra së fundi, duke më atribuar veprime që nuk janë kryer prej meje, i konsideroj abuzive për të denigruar figurën time dhe presion për shkak të detyrës zyrtare që aktualisht kryej”, - ka deklaruar Shtylla. Dy ditë më pare, ish-i persekutuari dha një intervistë ku dëshmonte dhe përshkruante torturat nga disa hetues dhe prokurorë, ku ndër të tjerë përmendte dhe Shtyllën. “Ky ligj, i hapjes së dosjeve, nuk duhet parë se kush ishte apo jo spiun, por këto persekutorë që kanë marrë pjesë në krimet e ashtuquajtura politike të paktën të mos kenë të drejtën morale e juridike për të ushtruar prapë një profesion të atillë. I kam shkruar një herë një letër të hapur Presidentit të atëhershëm, Mejdani, për rastin e një Kosta Gazeli, që ka qenë hetues i Ministrisë së Brendshme. Tani shoh që ai bën pjesë prapë në një institucion jo më pak të rëndësishëm, tek Avokati i Shtetit. Apo për Zamir Shtyllën, i cili konsiderohet sot si ‘Di Pietro’ i Shqipërisë, aktualisht është drejtor i Hetimeve në Prokurorinë e Përgjithshme. Ky më ka torturuar, më ka larë në gjak dhe unë ia kam shkruar këto fakte Presidentit në letrën e hapur”, - ka deklaruar Peshkëpia, i cili ka dëshmuar ndër të tjera se këto tortura nga Shtylla janë bërë në vitin 1975.
Fushata
"Në Shqipëri, 98 për qind e prokurorëve dhe gjykatësve janë të lirë dhe s`kanë asnjë lidhje me atë të shkuar. Vetëm këta, vetëm 'Zamir Shtyllat', të cilët kanë urdhëruar lidhjen me tela me gjemba të qytetarëve në vitin `90 dhe zvarritjen e tyre në Sarandë", - akuzoi Berisha pak kohë më parë prokurorin Shtylla. Kreu i Ekzekutivit ka mohuar faktin se ligji i ri për dosjet po drejtohet kundër prokurorëve dhe gjykatësve, të cilët kanë në dorë dosjet e bujshme në ngarkim të ministrave të kabinetit "Berisha". "Në mënyrën më të pafytyrë dhe më të papranueshme, zëdhënësit e Edi Ramës thonë se nisma po bëhet për shkak të 3 -5 hetuesve apo 6 gjyqtarëve. Në mënyrë absolute jo, ligji s`ka asnjë lidhje", - deklaroi Berisha. Në fjalën e tij, kryeministri nuk harroi të shtojë se ligji për hapjen e dosjeve është propozuar rreth 3 vjet më parë kur s'ka pasur asnjë proces të hapur. Duke folur pak kohë më parë për nevojën e miratimit të ligjit për hapjen e dosjeve, Berisha e konsideroi të turpshëm dekorimin që Presidenti Topi i ka bërë prokurorit Skënder Breca, të cilin e konsideroi përgjegjës për vdekjen e Xh. Koprenckës dhe për urdhërimin e vrasjeve të tjera në rolin e tij si hetues i sistemit komunist.
23 Dhjetor 2008