E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rruga e historisë që po fshin historinë



Nga Jak Simoni*

Kaloi pothuajse në heshtje lajmi, sipas të cilit gjatë punimeve në rrugën “Durrës – Morinë” janë gjetur disa objekte që mund të kenë vlerë arkeologjike dhe punëtorët shqiptarë janë largua nga drejtuesit e tyre për mos të qenë dëshmitarë. Pa dyshim që nuk bëhet fjalë për një zbulim si ai i Trojës nga Schliemann apo për një thesar arkeologjik si ai i Pompeit, por dhe një repert sado i vogël nga e shkuara ka vlerë. Objektet arkeologjike nuk i përkasin vetëm një etnie, kombi, qytetërimi; por njerëzimit. Pak kohë më parë është gjetur një varr, cilësuar si varri i familjes së parë, ku janë identifikuar dy prindërit dhe fëmijët e tyre të varrosur së bashku para pesëdhjetëmijë vjetësh nga të mbijetuarit. Kjo gjetje nuk i shërben një etnie apo një kombi, por i shërben antropologjisë dhe sociologjisë. Largimi i punëtorëve shqiptarë nuk ka asnjë justifikim. Dhe në qoftë se arsyeja e vetme është ajo e mosngadalësimit të ritmit të punimeve, nuk duhet t’i lihet mundësia kësaj firme të mbulojë apo të fshehë një gjë të tillë. Menduam se rruga e shumëpritur Durrës – Morinë po bëhej për të bërë histori, jo për të fshirë histori. Dhe për të bërë historinë e bashkimit të një kombi të ndarë. Ruajtja e këtyre objekteve do të kishte bërë që kjo firmë e fuqishme, krahas ndërtimit të urave që bashkojnë njerëzit, të kontribuonte në hedhjen e një ure drejt së shkuarës. Njerëzimi nuk do t’i drejtojë rrugët dhe urat vetëm në hapësirë, por dhe në kohë. Rrugët dhe urat nuk do të bashkojnë vetëm të gjallët, por do të shtrihen drejt së shkuarës dhe, kryesisht, drejt së ardhmes. Pa njohur të shkuarën nuk kemi të ardhme, të paktën si qenie njerëzore. Këtë na mëson më së miri Komte, i cili, duke iu referuar pasurisë shpirtërore që ka lënë vetë njerëzimi, është i mendimit se më e madhe është trashëgimia që çdo brez merr, sesa vetë shton të re si kontribut. Në këtë kontekst, ai ka thënë se njerëzimi është i përbërë më shumë nga të vdekur, sesa nga të gjallët. Shpresojmë se rasti në fjalë të zgjojë interesin e strukturave të shtetit, kuriozitetin e historianëve dhe arkeologëve tanë, të cilët do të kenë lexuar shprehjen e një historiani të madh, që thotë: “Sa mijëra faqe libri ta thotë një copë tullë apo tjegull e antikitetit, po të dihet të shikohet”.

* Pedagog në Universitetin
“Aleksandër Moisiu”
Durrës

23 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›