E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rikthehen aksidentet e përgjakshme me ardhjen e emigrantëve

Regjistrohen viktima në disa aksidente në Lushnje, Vorë dhe Durrës. Bllokohet autostrada Tiranë-Durrës. Shkaktarët kryesorë, emigrantët

Me ardhjen e emigrantëve për festa pranë shtëpive të tyre, shpeshtohen edhe aksidentet në rrugët e vendit tonë. Vetëm gjatë ditës së djeshme janë regjistruar disa të tillë me protagonistë shqiptarë që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit. Burimet zyrtare raportojnë për aksidente në disa rrethe si në Lushnjë, Durrës, Laç, Shkodër, Tiranë apo edhe në ndonjë rreth tjetër. Ngjarja më e rëndë u regjistrua dje pasdite, në segmentin rrugor kombëtar Fier-Lushnjë, në aksin e ri të autostradës. Sipas burimeve policore vendase, rreth orës 19.00, një automjet me targa greke ka qenë duke udhëtuar kur pa pritur ka goditur 55-vjeçarin Vasil Lika, banor i fshatit Lumth të Komunës Gorre në Lushnjë. Policia tha se drejtuesi i mjetit me targa greke ka ndaluar pak çaste për të parë se çfarë kishte ndodhur e më pas është larguar nga vendi i ngjarjes duke e lënë 55-vjeçarin në mes të rrugës. Emigranti që udhëtonte me automjet me targa greke ka pasur në automjetin e tij edhe vajzën 3-vjeçare, - thanë burimet zyrtare të policisë në Lushnjë. Ata pohuan se 55-vjeçari i aksidentuar është dërguar me urgjencë në Spitalin e Lushnjës e më pas për ndihmë të specializuar në Spitalin Ushtarak në Tiranë, por mjekët thanë se gjendja e tij ishte kritike. Policia tha se është vënë në kërkim të drejtuesit të automjetit që dyshohet se ka shkaktuar aksidentin.
Një tjetër aksident ka ndodhur në autostradën Fushë-Krujë -Vorë me pasojë vdekjen e një personi dhe plagosjen e një tjetri. Viktima, ende e paidentifikuar, u përplas nga një makinë në momentin që zbriste nga furgoni me të cilin kishte udhëtuar. Nuk dihet ende identiteti i personit të lënduar. Policia shkoi menjëherë në vendngjarje dhe ndaloi drejtuesin e mjetit që përplasi kalimtarët.
Ndërsa në autostradën Tiranë-Durrës për shkak të një aksidenti është bllokuar qarkullimi përreth dy orë. Burime nga Policia e Durrësit thanë se radha e automjeteve ka shkuar deri në 2 kilometra. Sipas policisë, ka qenë një automjet tip Iveko, me targë DR 4847C, e cila ndërsa vinte në aksin rrugor Tiranë-Durrës, në vendin e quajtur Kodrat e Shën Vlashit, ka goditur rëndë bordurën dhe është kthyer kryq në aksin e rrugës duke bllokuar trafikun. Për fat, drejtuesi i mjetit nuk ka pësuar dëmtime dhe ka shpëtuar paq, por është dëmtuar rëndë kabina e mjetit. Mësohet se automjeti ka çarë trafikndarësin, ndërkohë që lëvizja e tij ka paraqitur vështirësi. Vetëm pas mesditës është normalizuar trafiku nga kryeqyteti drejt qytetit bregdetar dhe anasjellas. Gjatë festave të fundvitit apo edhe në sezonin e verës rriten në mënyrë të ndjeshme aksidentet dhe kjo ndodh kryesisht për shkak të shtimit të fluksit të qarkullimit në rrugë të automjeteve.

Arrestohet 21-vjeçari, ishte shpallur në kërkim për aksidentin

KAVAJË – Pas gati dy javësh, një 21-vjeçar është arrestuar pasi akuzohej për një aksident dhe më pas për largim nga vendi i ngjarjes. Policia e Qarkut të Tiranës bëri të ditur se shërbimet e Komisariatit të Policisë së Kavajës kryen ekzekutimin e urdhrit të ndalimit të prokurorisë në ngarkim të shtetasit Elton Tahir Bajraktari, lindur në Tropojë dhe banues në Tiranë. Mësohet se arrestimi i tij është bërë pasi Prokuroria e Kavajës me shkresën e datës 10 dhjetor 2008 ka nxjerrë urdhrin e ndalimit, pasi Bajraktari akuzohet të jetë autor i veprës penale “shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “largim nga vendi i ngjarjes”. Pas arrestimit, policia tha se dosja i ka shkuar prokurorisë për hetime të tjera.

23 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›