E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria nis hetimet për vdekjen e 25-vjeçares në maternitet



SARANDË – Alarmi i familjarëve për vdekjen e gruas që sapo kishte sjellë në jetë një fëmijë ka nxitur Prokurorinë e rrethit të Sarandës të fillojë dje zyrtarisht hetimet për të zbardhur shkaqet e vdekjes së nënës së tre fëmijëve. Burime zyrtare nga institucioni i akuzës konfirmuan nisjen e hetimeve për vdekjen e shtetases Enkelejda Osmani, e cila humbi jetën dy ditë më parë në mjediset e Maternitetit të Sarandës. Denoncimin e ka kryer personalisht drejtori i spitalit civil “Petro Nako”, Arben Vogli, i cili ka kërkuar ndihmën e organeve të specializuara. "Sapo u njohëm me kallëzimin penal të drejtorit të Spitalit, oficerët e Prokurorisë bllokuan në shtëpinë e lindjes 'Kristo Kalivopulli' kartelën mjekësore të së ndjerës Enkelejda Osmani. Sipas burimeve në Prokurorinë e Sarandës, së shpejti do të merret në pyetje në cilësinë e dëshmitares mjekja gjinekologe Çezarina Bozho, për të sqaruar pozicionin e saj lidhur me këtë ngjarje”. Të dielën paradite, në shtëpinë e lindjes të Sarandës ndërroi jetë në rrethana ende të pasqaruara 25-vjeçarja Enkelejda Osmani, nga fshati Xarrë i rrethit të Delvinës, nënë e tre fëmijëve. Fëmijën e tretë ajo e kishte lindur para një jave, me operacion, në shtëpinë e lindjes të Sarandës. Para një viti ndodhi një rast i ngjashëm në rrethin e Vlorës, ku gjeti vdekjen një paciente. Ndërsa rasti më i fundit ndodhi në Pogradec, ku humbi jetën Matilda Petriti, e cila kishte bërë operacion për bajamet dhe në rrethana misterioze gjeti vdekjen. Prokuroria nisi hetimet për mjekun Xhevahir Hoxhallari, i cili dyshohet se nuk ka ndjekur të gjithë procedurat për trajtimin mjekësor të 17-vjeçares. Ngjarje të tilla shpesh kanë nxitur valë dhune nga pacientët apo të afërmit ndaj bluzave të bardha.

Gjykata e Milanos dënon me 18 vjet burg grupin e shqiptarëve

MILANO - Gjykata italiane e Milanos ka dhënë 18 vjet heqje lirie për emigrantin shqiptar, Saimir Tuda, i cili në janar të këtij viti mori peng një tjetër shtetas shqiptar, pasi ky i fundit nuk i kishte shlyer borxhin e marrë kohë më parë në një çështje trafiku lëndësh narkotike. Gjykatësi italian, Xhuzepe Xhenari, dha 18 vjet heqje lirie për shtetasin shqiptar Saimir Tuda dhe tetë vjet burg për të fejuarën e tij italiane, e cila ishte bashkëpunëtore në këtë vepër kriminale. Pas një operacioni antidrogë të kryer nga Guardia Di Finanza e Firences, në muajin janar të këtij viti, u zbulua se Saimir Tuda, së bashku me tre persona të tjerë, kishin rrëmbyer një tjetër emigrant shqiptar, ndërsa e mbanin të burgosur në një apartament në Arcore të Milanos. Shuma që emigranti tjetër shqiptar kishte marrë borxh ishte 15 mijë euro.

23 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›