E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drafti i kompromisit, Presidenca nis punën

Negociatat mund të rindizen në fundjavë. Këshilltarët fillojnë kalkulimet

Kreu i shtetit, Bamir Topi, pritet të udhëtojë këtë javë drejt Kroacisë
Gjithçka tashmë pritet prej tij. Kreu i shtetit, Bamir Topi, ka tërhequr vetvetiu vëmendjen e opinionit publik, por dhe të vetë aktorëve të përfshirë në krizën politike. Ndonëse nuk e ka krijuar aspak atë, Presidenti duhet të marrë përsipër tanimë të ofrojë formulën e kompromisit. Kreu i shtetit pritet që gjatë kësaj jave të jetë jashtë Shqipërisë për disa ditë. Burimet sqarojnë se ai do të udhëtojë drejt Kroacisë, për të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të Presidentit të ri kroat. Rrjedhimisht mendohet se negociatat do të rindizen nga fundi i javës. Sipas burimeve në Presidencë, tashmë po punohet për hartimin e një drafti paraprak, i cili mund të paraqitet në fazën e dytë të negociatave. Për këtë material duket se do të angazhohet stafi i ngushtë i Topit mes të cilëve janë dy këshilltarët kryesorë; ai për çështjet diplomatike, Arben Cici, dhe ai për çështjet ligjore Spiro Peçi. Hartimi i tij do të bëhet në konsultim të ngushtë me kancelaritë perëndimore në Tiranë dhe përfaqësuesit e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës. Nuk dihet ende nëse Topi do të tentojë të realizojë edhe një tryezë të nivelit të lartë përpara vizitës së delegacionit të Asamblesë së Këshillit të Europës. Nëse diçka e tillë do të ndodhë, ka shumë gjasa që të thirret në fundin e javës, kur drafti të jetë konsoliduar dhe Topi të jetë kthyer nga vizita në Kroaci.
Teksa i ka dëgjuar pretendimet e të dyja palëve, kreu i shtetit do të ketë mundësinë të ofrojë një formulë konkrete dhe të thërrasë sërish në tryezë ata që e kanë shkaktuar krizën. Problemi i parë me të cilin ndeshet Topi ka të bëjë me nivelin e tryezës, pasi palët ndajnë qëndrime të ndryshme. Kryeministri Sali Berisha është shprehur se kërkon që negociatat të vazhdojnë në nivele teknike dhe jo në nivel të lartë. Diçka të tillë nuk e ka pranuar lideri i opozitës, Edi Rama, i cili kërkon të mbahet përfaqësimi i tryezës së parë. Përmbajtja e draftit do të jetë sfida kryesore e Topit dhe stafit të tij për shkak se gjithçka varet nga qëndrimi mbi kutitë e votimit. Mazhoranca dhe opozita kanë rënë dakord për të gjitha modalitetet e një hetimi parlamentar, por ndahen thelbësisht tek kutitë e votimit. Opsioni më i mirë për opozitën mendohet të jetë varianti i një hapjeje selektive të kutive, por diçka e tillë nuk dihet nëse do të pranohet nga Kryeministri.
Ndërkohë, çdo formulë tjetër që shmang kutitë e votimit ka përpara kontestimin e padiskutueshëm të opozitës. Në një situatë të tillë, përmbajtja e draftit dhe ai në vetvete do të serviren me imponim te Berisha dhe Rama. Nëse ata nuk do të jenë të gatshëm të marrin pjesë në diskutimin e draftit para mbërritjes së delegacionit të KiE-së, tryeza mund të shtyhet. E gjithë kjo periudhë deri në prezantimin e draftit do të shoqërohet pa diskutim me një presion në rritje të ndërkombëtarëve ndaj dy protagonistëve kryesorë të krizës politike.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›