E Shtunë, 31 Tetor 2026

Traseja e bllokuar, autobusë falas për udhëtarët

Durrës/ Vijon aksioni për heqjen e dherave te Shkëmbi i Kavajës. Në Lushnjë, linja në funksionim

Bllokohet qarkullimi hekurudhor në zonën e Shkëmbit të Kavajës. Fenomeni i rrëshqitjeve ka detyruar ndërmarrjen e linjave të hekurta që, përveç transportit mbi shina, të ofrojë dhe atë rrugor, për të mos humbur pasagjerët e vet, që vazhdojnë t’i qëndrojnë besnikë këtij transporti, i cili ofron çmime më të favorshme për ta, por edhe më shumë siguri, ndonëse kjo është cenuar seriozisht nga faktorë të ndryshëm. Drejtoria e Përgjithshme e Hekurudhave Shqiptare ka vendosur në dispozicion të udhëtarëve autobusë, për të vijuar udhëtimin e ndërprerë për shkak të rrëshqitjeve të kodrës mbi trase. Lajmi është konfirmuar për gazetën nga kreu i Hekurudhave Shqiptare, Zamir Ramadani, që ka ndjekur në vendngjarje situatën dhe veprimet e ndërmarra për zhbllokimin e situatës dhe kthimin në normalitet në një kohë sa më të shpejtë të lëvizjes së mallrave dhe njerëzve mbi shina. Deri në Durrës pasagjerët janë dërguar me autobusë, për të mbyllur kështu udhëtimin me tren. Të gjithë trenave të pasagjerëve që vinin nga Elbasani, Vlora a Pogradeci, u është dashur të ndalen në stacionin e Golemit e të mos vijojnë më tej udhëtimin drejt Durrësit e Tiranës, për shkak të dherave që kanë pushtuar linjën e hekurt në pjesën e Shkëmbit të Kavajës. Mbrëmjen e vonë të së shtunës, një pjesë e Shkëmbit u shkëput, duke rënë mbi hekurudhë dhe bllokuar krejt trasenë përgjatë të gjithë linjës që ndodhet në rrëzë të Shkëmbit. Gjatë gjithë ditës së diel, mjetet dhe brigadat e punës kanë vijuar punën për të shmangur masivet e dheut nga traseja, e cila për fat të mirë nuk ka pësuar dëme të mëdha. Drejtori i Përgjithshëm i HSH-së tha se në Zhabë dhe Gogolas të Lushnjës, linja hekurudhore i është rikthyer gjendjes së mëparshme pas punës me intensitet për largimin e dherave. Reshjet e ditëve të fundit, përpos përmbytjeve të tokave dhe izolimit të mjaft banesave nga ujërat e shumta, të cilat nuk kullojnë për shkak të dëmtimit në vite dhe mosmirëmbajtjes së rrjetit të kanaleve kulluese, kanë shkaktuar dhe rrëshqitje masive të dherave nga kodrat e shpyllëzuara. Këto rrëshqitje kanë krijuar një situatë problematike edhe në linjën e hekurt shqiptare, e cila është vënë në gatishmëri për të mbyllur në një kohë sa më të shkurtër dëmet. Bllokimi i lëvizjes, qoftë dhe për pak orë e ditë, sjell një dëm ekonomik për ndërmarrjen që vazhdon të jetë me humbje e të subvencionohet nga arka e shtetit.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›