E Diel, 1 Nëntor 2026

Drafti, krijohet shërbimi i përmbaruesit privat

 

Shërbimi Përmbarimor Privat do të ushtrojë të njëjtin funksion dhe detyrë si Shërbimi Përmbarimor Shtetëror

TIRANË- Për herë të parë në vendin tonë krahas përmbaruesit shtetëror do të ngrihet edhe shërbimi i përmbaruesit gjyqësor privat, që rregullohet përmes një projektligji që ka kaluar parimisht nga qeveria. Projektligji në fjalë ka pikërisht për objekt krijimin e Shërbimit Përmbarimor Gjyqësor Privat, statusin e përmbaruesit gjyqësor, kriteret e licencimit, mënyrën e organizimit të këtij shërbimi, detyrat, tarifat, përgjegjësitë dhe masat disiplinore. Ky ligj do të zbatohet për ekzekutimin e detyrueshëm të titujve ekzekutiv nga Shërbimi Përmbarimor Gjyqësor Privat. Sipas draftit të përgatitur, personat fizikë apo juridikë privat mund të kërkojnë ekzekutimin e titujve ekzekutivë në Shërbimin Përmbarimor Privat.

Fusha e veprimit

Në projektligj citohet se Shërbimi Përmbarimor Gjyqësor Privat do të shtrijë veprimtarinë e tij në të gjithë Republikën e Shqipërisë. Shërbimi Përmbarimor Gjyqësor Privat duhet të ushtrohet nga persona fizikë të licencuar. Madje një ose më shumë përmbarues privatë mund të krijojnë edhe shoqëri tregtare, për të ushtruar veprimtarinë e tyre, (shoqëri përmbaruese private). Vetëm përmbaruesit privatë mund të jene ortak, aksionerë ose administrator të një shoqërie përmbaruese private. Përmbaruesit duhet të regjistrohen në Ministrinë e Drejtësisë.

Funksionet

Shërbimi Përmbarimor Gjyqësor Privat do të ushtrojë të njëjtin funksion dhe detyrë si Shërbimi Përmbarimor Shtetëror. Që do të thotë që një përmbarues privat është i ngarkuar me ligj për kryerjen e veprimtarisë së vënies në ekzekutim të titujve ekzekutivë, në përputhje me dispozitat e Kodit të Procedurës Civile. Ai është një person fizik apo juridik i pavarur që kryen veprimtarinë e tij përmbarimore në përputhje me ligjin. Përmbaruesi gjyqësor privat kryen dhe mban detyrën në emër të tij dhe nën përgjegjësinë vetjake. Duhet theksuar se vetëm personat e licencuar, mund të kryejnë procedura ekzekutimi në Shërbimin Përmbarimor Privat.

Ministri i Drejtësisë

Ministri i Drejtësisë, Enkeleid Alibeaj, do të jetë zyrtari i lartë, që ndryshe nga mënyra se si operohet me përmbaruesit shtetërorë, do të japë, pezullojë dhe heqë licencat e përmbaruesve gjyqësorë. Ai ka të drejtën të kontrollojë përmes strukturave të Ministrisë së Drejtësisë, veprimtarinë e përmbaruesve gjyqësorë privat, si dhe fillon procedimin disiplinor ndaj tyre. Ministri i Drejtësisë do të miratojë modelin e kontratës, që do të lidhet mes përmbaruesit gjyqësorë privat dhe palës së interesuar.Për pasojë ai është autoriteti shtetëror, i cili jep licencën e personave, që kërkojnë të ushtrojnë veprimtarinë e tyre si përmbarues gjyqësorë privatë. Madje edhe provimi i kualifikimit, për ushtrimin e veprimtarisë si përmbarues privat, do të zhvillohet para një komisioni, të caktuar po nga Ministri i Drejtësisë. Organet e Përmbaruesit gjyqësor Privat do të funksionojnënë të njëjtën formë si ato të përmbaruesit shtetëror. Për përmbaruesit gjyqësor privat janë parashikuar edhe sanksionet që fillojnë nga masa disiplinore me gjobe, pezullimi e deri tek heqja e licencës.

Kushtet për të qenë përmbarues gjyqësor privat:

a) Të jetë shtetas shqiptar

b) Të ketë zotësi të plotë për të vepruar

c) Të ketë arsimin e lartë juridik

ç) Të ketë eksperiencë pune 3 vjet si jurist

d) Të ketë kaluar me sukses provimin e kualifikimit si përmbarues gjyqësor

dh) Të mos jetë dënuar për kryerjen e një vepre penale, me vendim gjyqësor të formës së prerë. 

Detyrat e përmbaruesit gjyqësor privat:

Të veprojë me ndershmëri, paanësi, profesionalizëm dhe kurdoherë në interes të palës kërkuese, pa cenuar në mënyrë të paligjshme të drejtat dhe interesat e palës tjetër

Të zbatoje më përpikëri dispozitat e K.P.C dhe aktet e tjera ligjore dhe nënligjore

Të kryeje për subjektet fizike ose juridike veprimet e nevojshme që synojnë realizimin e së drejtës së tyre dhe mbrojtjen e interesave të tyre të ligjshme

Të informojë për çdo veprim proceduarial palët në proces ekzekutimi si dhe të japë sqarimet e nevojshme për veprimet e kryera

Të këshilloje palën kreditore për pasojat juridike, që rrjedhin nga veprimet proceduriale me qëllim që të mos dëmtohen interesat e tyre

Të ruajë sekretet profesionale dhe të mos zbulojë të dhëna, që i kanë mësuar gjatë veprimtarisë së tyre profesionale, ose nga dokumentet që i janë vënë në dispozicion nga palët në proces ekzekutimi

Të sigurojë pranë një shoqërie sigurimi veprimtarinë e tij profesionale

Të mbajë regjistrin në përputhje me dokumentacionin standard të miratuar nga Këshilli Drejtues i Dhomës Kombëtare i Përmbaruesve Gjyqësor Privat

Të derdhë në mënyrë të rregullt të gjitha taksat ose tatimet që i detyrohen shtetit.

Të marrë masat dhe veprimet e nevojshme për ekzekutimin e titullit ekzekutiv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›