E Diel, 1 Nëntor 2026

Fullani: Kriza nuk prek bankat shqiptare

 

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë garanton shqiptarët

TIRANË- Shqipëria nuk është e rrezikuar nga kriza financiare që pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka përfshirë edhe Evropën. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani, në një konferencë për shtyp ka garantuar se paratë e shqiptarëve të depozituara në banka janë të sigurta. Gjatë fjalës së tij Fullani tha se, “Shqipëria nuk është vend i intoksikuar dhe sistemi bankar shqiptar nuk ka asnjë krahasim me vendet e tjera të cilët kanë banka dhe institucione financiare me humbje të mëdha” Banka e Shqipërisë ka dalë në konkluzionin se sistemi financiar në vend do të mbetej i sigurt edhe në skenarin më të keq të mundshëm, atë që merr parasysh zgjerimin e krizës edhe në Shqipëri. Sipas guvernatorit, edhe nëse kjo do të ndodhë, nuk do të jenë bankat ato që do të preken, por efektet negative do t’i ndjejnë disa sektorë të tjerë të ekonomisë. “Një krizë e zgjatur dhe e rënduar nëse do të vazhdojë në ekonominë globale do ti ketë kryesisht efektet e saj në eksportet tona si dhe investimeve direkte, por duke pasur parasysh përdorimin e të ardhurave nga emigracioni kryesisht për importet mendoj se kjo do të jetë një mbështetje e mirë për të mos pasur një ndikim të fortë”,- tha Fullani. Kreu i Bankës së Shqipërisë ka shtuar se do të rritet vigjilenca në monitorimin e situatës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›