Policia: Vrasja e 23-vjeçarit, hakmarrje
SHKODËR - Policia nuk ka arritur ende të identifikojë autorët e vrasjes së të hënës, ku, në afërsi të fshatit Samërisht i Vjetër, në komunën e Dajçit , u gjet i vrarë 23-vjeçari Frederik Qerthaçi (Hila) nga fshati Mushan. Ndonëse janë shoqëruar dhe marrë në pyetje mjaft persona që dyshohet se kishin dijeni për ngjarjen, asgjë nuk është arritur dhe ata janë lënë të lirë. Sipas policisë, hakmarrja është motivi kryesor ku janë përqendruar hetimet, megjithatë në duart e bluve nuk ka asnjë fakt apo prove që të fajësojë individë të veçantë. Sipas policisë, dyshohet se 23-vjeçari është marrë nga diku tjetër dhe është dërguar deri në vendin e ekzekutimit, ku është gjetur i vrarë dhe i masakruar nga plumbat. Kjo, pasi vendi ku u gjet trupi i tij, ka lëvizje shumë të pakta dhe nga informacionet e grumbulluara nga policia, 23- vjeçarinuk ka qenë duke kaluar rastësisht apo me dëshirën e tij nga ajo rrugë, pasi andej nuk kalon thuajse askush, duke bërë që të dyshohet se gjithçka ka qenë e përgatitur. Viktima ishte djalë i vetëm, ndërsa dy vjet më parë, më 8 gusht 2006, tek vendi i quajtur Harku i Berdicës, në Shkodër, është plagosur rëndë xhaxhai i tij, Lazër Hila, 58 vjeç, i cili si pasojë e plagëve të marra vdiq në spital 6 ditë më pas. Ekzekutimi i xhaxhait të viktimës kishte patur si motiv hakmarrjen. Policia po heton lidhur me të gjitha konfliktet e mundshme që ka pasur 23-vjeçari në Shqipëri e jashtë saj.