E Diel, 1 Nëntor 2026

Çelo: Ish-pronarët, kompensimi sipas vlerës së re të pronave

Intervista/ Nëndrejtori i AKKP-së shprehet se ende nuk ka një afat për shpërndarjen e parave

TIRANË- Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave nuk ka ende një datë të përafërt për shpërndarjen e fondit financiar prej 5 milionë dollarësh, i programuar në buxhetin e shtetit për t’u përdorur për kompensim monetar të ish-pronarëve. Nëndrejtori i kësaj agjencie, Genci Çelo, në një intervistë për “Shekullin” ngurron të japë një afat kur dhe mund të bëhet ky kompensim, pasi siç bën të ditur edhe ai, çdo gjë varet nga dalja e një vendimi të Këshillit të Ministrave për përcaktimin e kritereve dhe kushteve që duhet të plotësojë subjekti i interesuar për shpronësim. Ai nuk përjashton mundësinë që fondi i përcaktuar për këtë vit për kompensim financiar të shpërndahet në bazë të vlerave të reja që do të përcaktohen në hartën e re të vlerës së pronës që është duke u hartuar nga grup pune ndërministror.

Z. Çelo a është bërë gati lista e ish-pronarëve që do të përfitojnë nga kompensimi financiar për këtë vit?

Lista bëhet mbi bazën e kërkesës që bën secili subjekt i shpronësuar dhe kjo do të nisë me regjistrimin e kërkesave nga secili subjekt i interesuar. Procesi i regjistrimit të kërkesave fillon atëherë kur miratohet dhe publikohet vendimi i Këshillit të Ministrave për shpërndarjen e fondit të kompensimit. Për këtë vit ende nuk është publikuar ndonjë vendim i Këshillit të Ministrave për sa i përket shpërndarjes së kompensimit monetar për vitin 2008. Me daljen e tij do të fillojnë procedurat e regjistrimit dhe pastaj verifikimit dhe më pas shpërndarjes së lekëve.

Në bazë të afateve ligjore ishte përcaktuar që shpërndarja e fondit duhet të fillonte në muajin qershor. Pse kjo vonesë?

Ligji shprehet që kompensimi kryhet brenda gjashtëmujorit të parë. Megjithatë është Këshilli i Ministrave që merr vendimin për këtë çështje. U fol nga media në qershor që është marrë ky vendim, por deri tani ka ardhur i zbardhur tek ne dhe nuk ka shkuar për publikim. Ideja ka qenë që ai do të hynte në fuqi disa ditë pas publikimit në fletoren zyrtare. Gjë që unë nuk e kam parë as të zbardhur dhe jo më pastaj që duhet të presim edhe të publikohet në fletoren zyrtare.

A rrezikon që të digjet fondi prej 5 milionë dollarësh që është përcaktuar për kompensim monetar të ish-pronarëve për vitin 2008?

Nuk besoj se mund të digjet. Ka ende kohë kur ne shpresojmë që ky proces mund të zhvillohet.

Më parë është deklaruar se mund të kishte dy fonde kompensimi monetare për këtë vit. Besoni se mund të jetë ende i realizueshëm një premtim i tillë nga ana e qeverisë?

Ato janë procedura që i di Këshilli i Ministrave dhe jo ne. Ne jemi thjesht zbatuesit dhe nuk jemi ata që bëjnë politikat. Politikat edhe në këtë fushë i bëjnë të tjerët, që në këtë rast është qeveria. Prandaj nuk di të them asgjë më shumë në këtë drejtim. Z.Çela qeveria ka ngritur dhe një grup pune ndërministror për të bërë hartën e re të vlerës së pronës në të gjithë Shqipërinë. Çfarë është bërë në këtë drejtim, a kemi një material konkret?

Ai grup ndërministror punoi për një farë periudhe dhe më pas u la që duhet ta përfundojë Ministria e Bujqësisë dhe Ministria e Mjedisit përpilimin e të dhënave për vlerën e tokave bujqësore dhe atyre pyjore. Deri më tani nuk ka përfunduar ky proces. Ne po vazhdojmë procedurat normale të verifikimit që brenda këtij muaj të dalin dhe ndryshimet përsa i përket azhornimit të vlerave të tokës që ne kemi.

Ndarja e fondit të ri monetar për këtë vit do të bëhet në bazë të vlerave të reja të pronës që janë duke u përpiluar?

Natyrisht që fondi do të shpërndahet thjesht mbi vlerat e miratuara në momentin që do të fillojë shpërndarja e fondit.

Pra mund të themi që shpërndarja e fondit monetar është peng i përcaktimit të hartës së re të vlerës së pronës që është duke u hartuar? A ka një pengesë për shpërndarjen e parave pikërisht nga ky fakt, pra përcaktimi i vlerës së re të pronës?

Atë s’e di. Unë nuk e di se cila është arsyeja që nuk ka dalë ende ai vendim.

Ndërkohë, përveç kompensimit financiar kemi dhe kompensimin fizik të ish-pronarëve. Mund të na thoni se çfarë është bërë në këtë drejtim?

Për sa i përket kompensimit fizik ka tre vendime të Këshillit të Ministrave dhe i fundit erdhi përpara një jave përsa i përket disa objekteve. Sipas vendimit, ngarkohen zyrat rajonale tonat dhe zyrat e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës për verifikimin, kompletimin e dokumentacionit, regjistrimit të atyre pronave, në mënyrë që të dalin pastaj pronat që do të shpërndahen si formë kompensimi fizik. Besoj se brenda këtij viti do të dalë ai fond mbi bazën e këtyre verifikimeve dhe pastaj do të fillojnë dhe procedurat e shpërndarjes. Normalisht nuk janë miratuar ende procedurat. Deri më tani janë paraqitur projekte të ndryshme nga ne si Agjenci dhe nga Ministria e Drejtësisë, por që nuk ka asgjë të miratuar deri më tani, pa u miratuar një herë se cilat do të jenë parcelat që do të shpërndahen, pra qoftë tokë bujqësore, pemtari, ullishte, kullota pyje etje.

Sa llogaritet të jetë ky fond fizik?

Po janë të përcaktuar. Kështu, si fond tokë bujqësore kemi 17 mijë e 716 hektar dhe 71 mijë e 699 hektar pyje e kullota.

Po për shpërndarjen e fondit fizik ka një afat kohorë se kur mund të fillojë?

Edhe ky proces do të fillojë pasi të dalë vendimi i Këshillit të Ministrave. Por edhe kjo nuk është në kompetencën tonë, pasi varet nga Këshilli i Ministrave, ne jemi në pritje. Madje dua të them se ne e kemi filluar përgatitjen që në muajin qershor, në mënyrë që të jemi gati së bashku me zyrat rajonale për verifikimin e kërkesave.

Për mosveprimet e qeverisë

U fol nga media në qershor që është marrë ky vendim, por deri tani ka ardhur i zbardhur tek ne dhe nuk ka shkuar për publikim. Ideja ka qenë që ai do të hynte në fuqi disa ditë pas publikimit në fletoren zyrtare. Gjë që unë nuk e kam parë as të zbardhur dhe jo më pastaj që duhet të presim edhe të publikohet në fletoren zyrtare.

Për fondin fizik të pronave

Edhe ky proces do të fillojë pasi të dalë vendimi i Këshillit të Ministrave. Por edhe kjo nuk është në kompetencën tonë, pasi varet nga Këshilli i Ministrave, ne jemi në pritje. Madje dua të them se ne e kemi filluar përgatitjen që në muajin qershor në mënyrë që të jemi gati së bashku me zyrat rajonale për verifikimin e kërkesave

Për rishikimin e vlerës së pronës

Grupi ndërministror punoi për një farë periudhe dhe më pas u la që duhet ta përfundojë Ministria e Bujqësisë dhe Ministria e Mjedisit përpilimin e të dhënave për vlerën e tokave bujqësore dhe atyre pyjore. Deri më tani nuk ka përfunduar ky proces. Ne po vazhdojmë procedurat normale të verifikimit që brenda këtij muaj të dalin dhe ndryshimet përsa i përket azhornimit të vlerave të tokës që ne kemi.

Ligji shprehet që kompensimi kryhet brenda gjashtëmujorit të parë. Megjithatë është Këshilli i Ministrave që merr vendimin për këtë çështje. U fol nga media në qershor që është marrë ky vendim, por deri tani ka ardhur i zbardhur tek ne dhe nuk ka shkuar për publikim. Ideja ka qenë që ai do të hynte në fuqi disa ditë pas publikimit në fletoren zyrtare. Gjë që unë nuk e kam parë as të zbardhur dhe jo më pastaj që duhet të presim edhe të publikohet në fletoren zyrtare.

Vendimi për kompensimin, qeveria asnjë hap para

TIRANË- Procedurat për kompensimin financiar të ish-pronarëve janë përcaktuar prej kohësh nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Por qeveria nuk ka ndërmarrë ende asnjë veprim për ta kaluar në një nga mbledhjet e saj. Ashtu si edhe vitet e tjera, kompensimi financiar do të bëhet për trojet deri në 200 metra katrorë. Ndërsa renditja do të jetë sipas kronologjisë së marrjes së vendimit për kompensim. Ndryshe nga herët e tjera, AKKP ka përcaktuar në procedurat e saj se nga ky fond përfitojnë vetëm personat ose subjektet, prona e të cilëve ka qenë e gjitha për kompensim. Të vetmit që nuk përfitojnë janë ata persona që kanë përfituar nga kthimi i pronave. Në këtë fond të kompensimit, ndryshe nga vitet e tjera, pritet që të përfshihen subjekte nga i gjithë territori i Republikës së Shqipërisë. Shuma e parave në dispozicion nga Buxheti i Shtetit do të jetë po ajo që është aplikuar një vit më parë: 500 milionë lekë. Procedurat pritet të fillojnë me vendimin e Këshillit të Ministrave, ku përveç procedurave të përzgjedhjes se si do të shpërndahet fondi, do të përcaktohet edhe afati i pranimit të kërkesave, që është përcaktuar të jetë vetëm një muaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›