Drafti për SHKB-në, PS: Pse jemi kundër
TIRANË- Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Sigurisë dhe Administratës Publike në PS, Ylli Manjani, ka deklaruar dje se qeveria vazhdon të paraqesë në Kuvend nisma ligjvënëse gjysmake dhe anti-reformë. “Projektligji për Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm (SHKB) është mjeti i radhës që kjo qeveri tenton të përdorë për të kontrolluar Policinë, SHISH, Prokurorinë, si dhe çdo institucion apo individ që nuk pajtohet me Kryeministrin e vendit. Me këtë projektligj, qeveria synon të ndërtojë një superministri të brendshme, e cila ka në dorë Policinë e Shtetit, Policinë Gjyqësore, madje edhe Prokurorinë dhe SHISH. Qeveria propozon ndërtimin e një strukture mbikëqyrëse të Policisë së Shtetit, dhe paralele me Prokurorinë dhe me SHISH”,- tha dje Manjani. Kompetencat e papërcaktuara qartësisht për SHKB-në, sipas tij, do të shkaktojnë përplasje ndërmjet këtyre institucioneve. “Kjo është një tjetër tentativë e qeverisë për të vënë nën kontroll institucionet e autoritetet ligjore të pavarura nga qeveria”,- tha ai. Manjani shtoi se PS nuk mund të pranojë këtë projektligj që, sipas tij, cenon pavarësinë e organeve të hetimit dhe profesionalizmin e Policisë së Shtetit. “Ne nuk mund të miratojmë një projektligj të tillë, që krijon mundësi për ndërhyrje joligjore e jodemokratike të qeverisë në jetën private të qytetarëve, e as në kompetencat e institucioneve të pavarura të shtetit”,- tha ai.