E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hidrocentralet e vegjël, gjenden vetëm në letra

Ekspertë nga ky sektor bëjnë të ditur se vetëm në 4 nga 27 hidrocentralet e dhëna me koncesion, ka filluar realisht puna

Qeveria shqiptare pati premtuar që në mes të vitit 2009, së bashku me Termocentralin e Vlorës të hynin në punë edhe rreth 100 megawat termocentrale të vegjël. Por duket se diçka e tillë nuk ka shanse të ndodhë. Burime nga tregu i hidrocentraleve të vegjël, bëjnë të ditur se nga 27 kontrata koncesionare të nënshkruara, vetëm në katër prej tyre punohet realisht për të ndërtuar impiantet, ndërsa pjesa tjetër ka mbetur vetëm në letra. Mosfillimi i punës për ndërtimin e hidrocentraleve të vegjël, vlerësohet si dështim i madh i të gjithë strategjisë së qeverisë në fushën e koncesioneve.

gjatë dy viteve të fundit, qeveria ka miratuar 27 kontrata koncesionare për hidrocentrale me fuqi të instaluar prej 125 megawat dhe me prodhim të projektuar vjetor prej 602 milionë kilovat/orësh në vit. Shifra prej 602 milionë kilovat/orësh nënkupton një rritje me 15% të prodhimit të elektricitetit në vend si dhe mbulimi i gati një të tretës të deficitit vjetor të vendit prej rreth 2 miliardë kilovat/orësh.

Mesi i vitit 2009, qe afati i premtuar nga qeveria për zgjidhjen afatgjatë të krizës energjetike në Shqipëri. Vlerësohej se hyrja në punë e Termocentralit të Vlorës, prodhimi me hidrocentralet e vegjël si dhe Linja e Interkonjeksionit Elbasan-Podgoricë, do të lehtësonte krizën deri sa të shmangte kufizimet e shpeshta në furnizim. Por Termocentrali i Vlorës nuk po del kaq shpresëdhënës, për shkak se është programuar të punojë me cikël të kombinuar naftë dhe gaz, por që Shqipëria nuk ka gaz.

Ëndrra miliona euro

Kompanitë private që kanë fituar kontratat koncesionare, patëm marrë përsipër të investojnë 16 miliardë lekë (131 milionë euro). Prodhimi i tyre do të ketë teorikisht vlerë tregtare prej 45 milionë eurosh me çmimin aktual të përcaktuar nga ERE. Në fakt, ekspertët e fushës shpjegojnë se ka diçka që nuk shkon me kontratat koncesionare të nënshkruara. Dyshohet se kapaciteti i instaluar i hidrocentraleve të dhëna me koncesion është dizenjuar shumë herë më i lartë sesa kapaciteti real i vijës furnizuese të ujit. Ekspertët vërejnë se ka gjithashtu vlerësime të fryra në prodhimin e projektuar të energjisë. Por ndërsa flitet për miliona euro të investuara, në realitet, tregu privat i energjisë elektrike ka nën kontroll vetëm hidrocentralet e vegjël që kanë qenë ekzistues, pra që u ndërtuan para viteve '90 dhe që u morën me koncesion ose blenë gjatë viteve 2002-2004. Gjatë vitit të kaluar, prodhimi privat i energjisë elektrike arriti sipas të dhënave të INSTAT në 55 mijë mëë/h, që i kushtoi arkës së KESH rreth 3 milionë euro. Megjithatë, energjia e prodhuar privatisht në Shqipëri zë ende më pak se 1% të totalit të energjisë së qarkulluar. Modeli i tregut të energjisë elektrike, ka përcaktuar detyrimin e Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare për të blerë energjinë e prodhuar nga hidrocentralet private.

Investitorët vlerësojnë se legjislacioni aktual e bën investimin në elektroenergjetikë një biznes shumë të rrezikshëm nga ndërhyrja e politikës. Çmimi i shitjes së energjisë së prodhuar privatisht te KESH përcaktohet nga Enti Rregullator i Energjisë Elektrike, ndërsa procedurat burokratike kanë bërë që disa biznese të kësaj natyre të mbyllen gjatë viteve të shkuara.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›