Kush ndërton pa leje, burg deri në 7 vjet
Deri në 7 vjet burg edhe për zjarrvënie të qëllimshme. Qeveria ka gati ndryshimet e Kodit Penal
TIRANË- Të ndërtosh pa leje, qoftë edhe në tokën tënde, apo edhe të shkatërrosh pyjet e kullotat nëpërmjet zjarrvënies, tashmë konsiderohet krim dhe do të dënohet vetëm me burg. Përhapja në masë e këtyre fenomeneve, sidomos gjatë viteve të fundit, ka detyruar qeverinë të ndërmarrë masa shtrënguese ligjore, duke paraqitur në Kuvend për miratim një sërë ndryshimesh në Kodin Penal, ku veprat e mësipërme tashmë kriminalizohen si me pasoja të rënda për shoqërinë dhe shtetin.
Ndërtimet pa leje
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm që i bëhet Kodit Penal me projektligjin e paraqitur është edhe ai që ka të bëjë me rishikimin e politikës penale të shtetit për mbrojtjen e tokës dhe mjedisit nga ndërtimet pa leje. Për t’i dhënë fund praktikave abuzive dhe njëkohësisht për të krijuar një stabilitet juridik në regjimin e pronësisë mbi tokën, është parashikuar që ndërtimi i paligjshëm i një objekti, qoftë në tokën e vet, qoftë në tokën publike ose shtetërore të konsiderohet si krim dhe të dënohet me burg. Në këtë mënyrë, për herë të parë, në nenin 199, të Kodit Penal, shtohet një paragraf i ri, i cili parashikon kriminalizimin e ndërtimit pa leje, sipas të cilit ndërtimi i paligjshëm i një objekti në tokën e vet, dënohet me burgim deri në 3 vjet, ndërsa në tokën publike, ose në tokën e tjetrit, dënohet me burgim deri në 7 vjet. Ndërkohë që parashikohet që për të gjitha objektet pa leje që do të konstatohen, ato do të trajtohen si send që sekuestrohen nga shteti, për t’i konfiskuar si pronë të vetën ose për asgjësim, sipas rastit.
Zjarrvënia në pyje
Shtimi gjatë viteve të fundit i rasteve të zjarrvënies së pyjeve ka bërë të domosdoshme ndërhyrjen në Kodin Penal për të përcaktuar një masë konkrete dhe të veçantë dënimi për këto raste. Për këtë arsye, në nenin 199, të Kodi Penal, propozohet të shtohet një paragraf i ri, i cili parashikon rastin e ndryshimit të destinacionit të fondit pyjor nëpërmjet zjarrvënies. Kjo vepër penale tashmë përcaktohet për herë të parë si krim dhe sanksioni ligjor i parashikuar për të, është nga pesë deri në dhjetë vjet burg dhe me një gjobë që varion nga 500 mijë deri në 1 milionë lekë. Por sipas ndryshimeve që kërkohen t’i bëhen nenit 206, të Kodit, parashikohet se kur kjo vepër penale ka shkaktuar pasoja të rënda për pronën, shëndetin ose jetën e njerëzve, dënohet me 10 deri në 15 vjet burgim dhe me gjobë nga 1 deri në 2 milion lekë. Po në këtë nen parashikohen dhe rastet kur zjarrvënia është bërë nga pakujdesia apo pa dashje. Kjo vepër dënohet me 1 deri në 3 vjet burgim dhe në rast se ka pasoja shumë të rënda që shoqërohen në dëme në shëndetin dhe jetën e njerëzve, dënohet nga 2 deri në 5 vjet.
E njëjta masë parashikohet në ndryshimet e reja edhe për shkatërrimin e ujësjellësit
Vjedhja e energjisë, hiqet gjoba, mbetet dënimi me burg
TIRANË- Në kuadër të masave për përmirësimin e situatës energjitike në vend, në projektligjin e paraqitur është vlerësuar i nevojshëm ndryshimi i veprave penale që kanë të bëjnë me fenomenin e lidhjes së paligjshme në rrjetin e elektrik, si dhe me vjedhjen e impulseve të impulseve të energjisë. Me propozimin e paraqitur parashikohet që në nenin 137, Kodit Penal, të përcaktohet se lidhja e paligjshme në rrjetin e energjisë elektrike përbën krim që dënohet vetëm me burg. Pra ndryshe nga më parë, ku një vepër e tillë përbënte kundërvajtje penale, që dënohet me gjobë ose me burgim deri në dy vjet, tashmë e njëjta vepër dënohet vetëm me masë burgimi me dy vjet heqje lirie. Gjithashtu i njëjti ndryshim bëhet edhe për rastin e vjedhjes së impulseve, por duke përcaktuar si masë burgimi 3 vjet heqje lirie. Një ndryshim i tillë, është bërë edhe për shkak se dënimi me gjobë deri tani ka qenë pothuajse i pazbatueshëm dhe të gjithë shkelësit e ligjit në të shumtën e rasteve nuk i janë bindur vendimeve të gjykatave. Siç sqarohet edhe në relacion, dënimi i dhënë si rregull për këtë kategori çështjesh nga gjykatat jo vetëm që nuk ka qenë efektiv, por ka vonuar ekzekutimin e vendimit penal. Nga ana tjetër, nga pikëpamja e ashpërsisë së sanksionit penal, me ndryshimin e propozuar këto dy vepra shndërrohen në kategorinë e tretë për nga rëndësia e sanksionit. Masa të rënda parashikohet të sanksionohet në Kod edhe për rastet e shkatërrimit të rrjetit të ujësjellësit dhe ujitjes. Sipas ndryshimit që i bëhet nenit 157, të këtij kodi, shkatërrimi apo dëmtimi me dashje i kanaleve ujitëse dhe kulluese ose veprave që lidhen me to, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me burgim deri në 2 vjet, pra hiqet dënimi me gjobë, siç ka qenë parashikuar më parë. E njëjta gjë bëhet edhe në nenin 159, ku shkatërrimi apo dëmtimi me dashje i rrjetit të ujësjellësit, dënohet me burgim deri në 3 vjet. Gjithashtu lidhja, si dhe çdo ndërhyrje tjetër e bërë pa leje në rrjetin e ujësjellësit për marrjen e ujit të pijshëm, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me burgim deri në 2 vjet.
Neni 137
Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike
Lidhja e paligjshme me rrjetin e energjisë elektrike, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me burgim deri në 2 vjet. Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike dënohet me burgim deri në 3 vjet.
Neni 157
Shkatërrimi i rrjetit të ujitjes
Shkatërrimi apo dëmtimi me dashje i kanaleve ujitëse dhe kulluese ose veprave që lidhen me to, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me burgim deri në 2 vjet.
Neni 159
Shkatërrimi i rrjetit të ujësjellësit
Shkatërrimi apo dëmtimi me dashje i rrjetit të ujësjellësit, dënohet me burgim deri në 3 vjet.
Neni 199, shtohet neni 199/a, me këtë përmbajtje:
Ndërtimi i paligjshëm
Ndërtimi i paligjshëm i një objekti në tokën e vet, dënohet me burgim deri në 3 vjet, ndërsa në tokën publike, ose në tokën e tjetrit, dënohet me burgim deri në 7 vjet.
Në nenin 199, të Kodi Penal, propozohet të shtohet një paragraf i ri, i cili parashikon rastin e ndryshimit të destinacionit të fondit pyjor nëpërmjet zjarrvënies. Kjo vepër penale tashmë përcaktohet për herë të parë si krim dhe sanksioni ligjor i parashikuar për të është nga 5 deri në 10 vjet burg dhe me një gjobë që varion nga 500 mijë deri në 1 milionë lekë.
Në nenin 206, të Kodit, parashikohet se kur zjarrvënia ka shkaktuar pasoja të rënda për pronën, shëndetin ose jetën e njerëzve, dënohet me 10 deri në 15 vjet burgim dhe me gjobë nga 1 deri në 2 milionë lekë. Po në këtë nen parashikohen dhe rastet kur zjarrvënia është bërë nga pakujdesia apo pa dashje. Kjo vepër dënohet me 1 deri në 3 vjet burgim dhe në rast se ka pasoja shumë të rënda, që shoqërohen në dëme në shëndetin dhe jetën e njerëzve, dënohet nga 2 deri në 5 vjet.
Kodi Penal, vendoset dënimi me gjysmëliri
Aspirata e Shqipërisë për t’u bërë pjesë e familjes së madhe evropiane, ka bërë të detyrueshme për shtetin shqiptar që të reformojë kuadrin ligjor për ta përafruar atë me legjislacionet e vendeve anëtare të kësaj familjeje. Për këtë arsye, qeveria shqiptare ka paraqitur projektligjin “Për disa ndryshime në Kodin Penal”, ku për herë të parë futen terma të tillë ligjorë, që sanksionojnë në një kapitull të veçantë edhe dënimet alternative nga ai me burg. Kështu, një ndryshim i rëndësishëm në këtë projektligj është ai për ndryshimin e nenit 58, të këtij kodi, ku për herë të parë është futur termi “Gjysmëliri”, i përdorur gjerësisht në legjislacionet e vendeve të BE-së. Sipas këtij ndryshimi, parashikohet që “Për dënimin deri në 1 vit burg, gjykata, për shkak të detyrimeve të personit të dënuar për punën, armën, kualifikimin ose aftësimin profesional, përgjegjësitë thelbësore familjare apo për nevojat e rehabilitimit mjekësor mund të vendosë ekzekutimin e vendimit me burg në gjysmëliri. Personi i dënuar që vuan dënimin në “gjysmëliri” është i detyruar të kthehet në burg pasi të ketë kryer detyrimet jashtë burgut, brenda periudhës kohore të përcaktuar nga gjykata”. Ndërkohë, një ndryshim i rëndësishëm është edhe ai që i bëhet nenit 59, të Kodit aktual, sipas të cilit, përcaktohet “Pezullimi i ekzekutimit të vendimit me burgim dhe vënia në provë për shkak të rrezikshmërisë së paktë të personit, moshës mbi 60 vjeç, kushteve shëndetësore, mënyrës së jetesës apo nevojës për arsimim dhe dhënien atij të lirisë me kusht”. Sipas këtij përcaktimi, kur gjykata jep “dënim me burg deri në 5 vjet”, mund të urdhërojë që i dënuari të mbajë kontakte me shërbimin e provës dhe të vihet në provë, duke pezulluar ekzekutimin e dënimit, me kusht që gjatë provës të mos kryejë asnjë vepër tjetër penale, ndërkohë që deri tani parashikohej që të mos kryente një vepër tjetër penale po aq, ose më të rëndë se e para.