E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI: Vdekja e Trebickës, me prapavijë politike

 

LSI kërkon dorëheqjen e kryeministrit Sali Berisha

TIRANË- Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili ka deklaruar dje se LSI konsideron aksidentin Trebickës shumë të dyshimte. “Ngjarja tragjike ndodhi pikërisht në momentin kur hetimet për zbardhjen e tragjedisë dhe krimit shtetëror të Gërdecit kishin arritur në një fazë kulmore dhe ku biznesmeni Trebicka ishte një dëshmitar kyç i ngjarjes dhe aferave shumë të rënda korruptive që lidheshin me të. LSI vlerëson se është e qartë se kjo ngjarje që ka marrë jetën e tij, ka një prapavije të qartë politike. Kjo ngjarje shumë e rëndë dhe tepër e dyshimtë për rrethanat dhe momentin në të cilin ndodh, është një dëshmi e qartë se krimi i organizuar është në veprim të plotë dhe i pakontrolluar, duke destabilizuar thellë vendin e duke e bërë të pasigurt jetën e qytetarëve”, -tha dje Vasili. Ai ka kërkuar që Prokuroria të marrë të gjitha masat më urgjente për zbardhjen e menjëhershme të kësaj ngjarjeje. “Ajo duhet të veprojë intensivisht dhe jashtë çdo ndikimi për zbardhjen e ngjarjes, e cila është vepër e asaj politike që nuk është e interesuar për zbardhjen e tragjedisë së Gërdecit dhe që është pikërisht kjo politikë që ka rritur presionin në mënyrë të pashembullt, për të penguar hetimet për zbardhjen e tragjedisë dhe përgjegjësve të tragjedisë së Gërdecit. Sali Berisha duhet të ndalë menjëherë presionet ndaj Prokurorisë, presione që synojnë mbulimin e të vërtetës dhe implikimin e tij të drejtpërdrejtë në tragjedinë dhe krimin shtetëror të Gërdecit”,- tha ai. Vasili ka kërkuar në emër të LSI-së, dorëheqjen e Berishës, me qëllim që tragjedia e Gërdecit dhe ngjarjet tragjike që lidhen me të e po e pasojnë atë, si vdekja e Trebickës, të mund të zbardhen dhe fajtoret të dalin përpara drejtësisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›