Drafti për gjyqësorin, shkon në Parlament për miratim
• TIRANE - Drafti "Për gjyqësorin" u përgatit pak kohë më parë nga Ministria e Drejtësisë, e cila pohoi se për këtë tërhoqi mendimeedhe nga institucione të tjera, përfshi edhe KLD-në, e cila në fakt ishte një nga aktorët kryesorë të projektimit të ligjit. Ligji aktual "Për gjyqësorin" ka hyrë në fuqi në vitin 1998, ndërsa përgjatë viteve i janë bërë disa ndryshime. Por edhe pas kësaj, gjyqtarët dhe institucione të tjera të drejtësisë pohuan se ai ka nevojë për përmirësime të mëtejshme. Nisur nga kjo pak kohë më parë, drafti "Për gjyqësorin" mori formë përfundimtare dhe u dërgua në qeveri, e cila sipas procedurave tashmë ia ka kaluar Parlamentit për ta votuar atë. Në dhjetor të vitit të kaluar Këshilli i Lartë i Drejtësisë promovoi nisjen e fushatës "Libri i Bardhë" me anë të së cilit grumbulloi ekspertizë, sugjerime dhe mendime nga njerëzit e drejtësisë dhe qytetarët. Ky material, rreth 60 mijë faqe do t'i dorëzohet pas pak ditësh Parlamentit, në bazë të së cilës deputetët do të vendosin për të votuar ligjin "Për gjyqësorin". Thuajse të gjitha gjykatat e vendit e kanë përfunduar procesin e plotësimit të "Librit të Bardhë". Ndërkohë, gjyqtarët shqiptarë janë grupuar në dy shoqata, të cilët mbajnë qëndrime kritike për këtë draft duke kërkuar edhe mosvotimin e tij pa iu bërë ndryshimet e kërkuara nga togat e zeza. Sipas gjyqtarëve ky ligj ka sjellë katër momente favorizuese për ta. E para është përmirësimi i kushteve për t'u emëruar gjyqtar në Gjykatën e Shkallës së Parë dhe atë të Apelit. E dyta është vendosja e kushteve dhe emërimit të gjyqtarëve të Faktit dhe Apelit nga KLD në bazë të konkurrimit, duke ndryshuar variantin e mëparshëm të propozimit të tyre nga Ministria e Drejtësisë. Më tej togat e zeza vlerësojnë në ligj kategorizimin e shkeljeve disiplinore të gjyqtarëve në: Shumë të rënda, të rënda dhe të lehta. Ndërsa e fundit është heqja si masë disiplinore e gjobave dhe heqja nga shqyrtimi i mëtejshëm i çështjeve. fa.ma.