E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pro proporcionalit, por…

• Blendi KajsiuIdeja për të kaluar drejt një sistemi proporcional duket se po zë gjithnjë e më shumë vend në skenën politike shqiptare.  Fillimisht ai u hodh në treg nga LSI-ja dhe së fundi u rimor përsëri nga PS-ja. Ndërkohë, Partia Demokratike nuk është pozicionuar përfundimisht në lidhje me këtë çështje, por as nuk e ka kundërshtuar atë haptas. Po t'i referohemi deklaratave të liderit të saj Berisha, i cili ka ...deklaruar se është i hapur për çdo propozim të opozitës në lidhje me sistemin elektoral, mund të konkludojmë se nuk është aspak çudi që në kuadrin e reformës elektorale, Shqipëria të kalojë në një sistem proporcional. Për momentin nuk na mbetet veçse të presim, pasi fatkeqësisht diskutimi për sistemin elektoral po bëhet pothuajse ekskluzivisht pas dyerve të mbyllura të partive politike. Ndonëse çështja e sistemit elektoral është thelbësore për demokracinë dhe si e tillë duhet diskutuar sa më gjerë. Pavarësisht nëse kryhet apo jo kalimi nga një sistem kryesisht maxhoritar drejt një sistemi të pastër proporcional, do ishte pozitiv për demokracinë shqiptare. Por ky ndryshim duhet bërë njëkohësisht me ndryshimin e sistemit elektoral në nivelin lokal për zgjedhjen e këshillit bashkiak nga proporcional me lista të mbyllura në proporcional rajonal me listë të hapur, ose në një sistem maxhoritar, ku qytetarët zgjedhin anëtarët e këshillit bashkiak në mënyrë të drejtpërdrejtë. Në këtë mënyrë shkëputja deputet - elektorat që do krijohej në nivelin qendror si pasojë e një proporcionali të pastër, mund të kompensohej me një lidhje më të fortë qytetar - pushtet në nivelin lokal. Në fakt, është shumë më e arsyeshme që lidhja direkte mes pushtetarëve dhe qytetarëve të bëhet në nivelin lokal, sesa në atë qendror. Përndryshe kalimi në një proporcional të pastër në nivelin qendror, duke ruajtur të njëjtin sistem elektoral në nivelin lokal, do ta kthente demokracinë shqiptare tërësisht në një partitokraci. Me sistemin aktual këshilli bashkiak më shumë sesa një asamble që përfaqëson interesat e qytetarëve, është një forum politik ku strehohen drejtuesit lokal të PD-së dhe PS-së. Më shumë sesa qytetarëve, këshilltari bashkiak i përgjigjet partisë që e fut apo e nxjerr nga lista e mbyllur. Prandaj këshilli bashkiak për momentin nuk luan asnjë nga rolet që i përcaktohen në ligj, qoftë në përfaqësimin e interesave të qytetarëve, qoftë në mbikëqyrjen e punës së bashkisë. Në rastin më të keq, kur kryetari i bashkisë është edhe kryetar i partisë, siç është rasti i Bashkisë së Tiranës, këshilli bashkiak mund të përfundojë thjesht në një zgjatim të kryetarit të bashkisë. Pra, në nivelin lokal organet përfaqësuese si këshilli bashkiak kontrollohen nga partitë politike më shumë sesa nga qytetarët që duhet të përfaqësojnë.Prandaj kalimi në një sistem proporcional në nivelin qendror pa trajtuar problematikën e përfaqësimit në nivel lokal mund ta thellojë së tepërmi hendekun midis qytetarëve dhe procesit politik. Kjo nuk do të thotë se kalimi në një sistem proporcional në nivel qendror është i gabuar. Ka mjaft arsye për të mbështetur një sistem proporcional, ndonëse këtu nuk është as vendi dhe as hapësira për t'i trajtuar ato. Problemi është se me sistemin aktual deputeti luan një rol të rëndësishëm si një institucion, ku qytetarët kërkojnë zgjidhje për halle nga më të ndryshmet. Ndonëse diçka e tillë prodhon shpesh deformime në alokimin e investimeve apo nxit marrëdhëniet klienteliste, ekzistenca e një institucioni ku qytetarët kërkojnë zgjidhje është diçka e mirë në vetvete.  Eliminimi i këtij institucioni me adoptimin e një proporcionali të pastër mund të kompensohet duke e bërë këshillin bashkiak më të lidhur me komunitetin që përfaqëson. Në fakt, është më se e arsyeshme që shumë nga kërkesat që qytetarët i drejtojnë sot deputetit në nivel qendror të zhvendosen tek institucionet përfaqësuese në nivel lokal, si këshilli bashkiak.  Shumë nga këto kërkesa për punësim, rrugë apo investime duhet të zgjidhen gjithnjë e më tepër nga organet e pushtetit vendor. Aq më tepër që procesi i decentralizimit nënkupton kalimin e më shumë kompetencave në nivel lokal. Në këtë mënyrë deputetët mund të përqendrohen më tepër në politikat makro, sesa në zgjidhjen e halleve të qytetarëve të veçantë. Prandaj adoptimi i proporcionalit në nivel qendror duhet shoqëruar me ndryshimin e sistemit aktual elektoral për të krijuar një këshill bashkiak me përfaqësues dhe më të lidhur me qytetarin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›