Shkodër, papunësia në vendnumëro
• Megjithëse Shkodra është kthyer në kantier ndërtimi dhe biznese të reja hapen, niveli i papunësisë është në të njëjtat shifra si vitet e shkuara.SHKODER/ RITVAN DIBRATë dhënat zyrtare flasin për më shumë se 22 mijë të papunë, ndërsa sindikatat e çojnë këtë shifër në 30 mijë. Mungesa e statistikave të sakta në lidhje me numrin e të papunëve në këtë rreth, sipas drejtorit të Zyrës Rajonale të Punës, Tom Curri, vjen si rezultat i neglizhencës së punëdhënësve, punëmarrësve dhe institucioneve të tjera, siç janë Bashkia dhe Tatim-Taksat, të cilat kanë si detyrë të bëjnë regjistrimin e gjithë personave të punësuar. "Ndonëse flitet për ndjekjen e politikave të caktuara për nxitjen e punësimit, asnjëra prej tyre nuk ka dhënë rezultat, pasi shifrat e papunësisë vazhdojnë të jenë në të njëjtat nivele", pohon ai. Kreu i Zyrës së Punës Shkodër pranon se politikat e ndjekura për uljen e numrit të të papunëve në Shkodër kanë dështuar. Sipas Currit, për shumë vite me radhë numri i të papunëve mbetet i njëjtë, megjithëse kohët e fundit ka lulëzuar biznesi i vogël në komunat dhe bashkitë. Megjithatë, ai pohon se zgjidhja e vetme për të mësuar shifrat reale të punësimit, do të dalin kur nga çdo punëdhënës të lëshohet një deklarim për punësimet që kryen dhe në bazë të saj të mbajë përgjegjësi ligjore. Në Shkodër, që në fillim të viteve '90-të e deri tani, vihet re një prirje drejt industrisë, ku krahu i punës i preferuar janë femrat dhe konkretisht, në rrobaqepësi, industri ushqimore dhe këpucë. Sipas të dhënave të bëra publike nga drejtori i Zyrës Rajonale të Punës, Tom Curri, mësohet se sektori i konfeksioneve në Shkodër ka 35.7 për qind të të punësuarve, kurse sektori i këpucëve me 42 për qind. Sektori i ndërtimit ku janë të punësuar meshkujt, bashkë me sektorët e tjerë, zënë rreth 23 për qind. Nga shifrat mësohet se femrat e kanë më të lehtë të punësohen në Shkodër. Por një tjetër arsye është dhe paga minimale që punëdhënësit ofrojnë për vajzat dhe gratë. Meshkujt, të cilëve iu duhet të mbajnë peshën e gjithë familjes, nuk pranojnë të punësohen me rroga minimale. Kjo vërtetohet dhe nga fakti se përqindja e papunësisë është më e madhe te meshkujt, me 59.4 për qind, ndërsa papunësia te femrat është rreth 40.6 për qind.