E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dy klandestinë shqiptarë bllokohen në dëborë

Mojsi Selimi dhe Shaban Elezi do emigronin në Greqi duke kaluar përmes Maqedonisë. Bllokohen në malin e Korabit


MAQEDONI- Dy klandestinë shqiptarë, të cilët ishin nisur që të kalonin kufirin me Maqedoninë në mënyrë të jashtëligjshme, janë bllokuar nga bora në mal. Ngjarja ka ndodhur pasditen e djeshme kur të rinjtë kanë telefonuar duke dhënë alarmin e dëborës.


Të dhënat e para të publikuara nga policia tregojnë se klandestinët janë të rinj në moshë, ndërsa kanë mbetur të bllokuar në afërsi të fshatit Tanush. Sipas burimeve të policisë, ata kanë kaluar fillimisht fshatin Qafë Shtata, ndërsa pika ku janë bllokuar ndodhet katër kilometra larg fshatit Tanush, të Maqedonisë. Fillimisht të rinjtë nga Dibra kanë njoftuar autoritetet maqedonase për vendndodhjen e tyre. Policia ka kontaktuar me të afërmit e tyre dhe ka mësuar se ata nuk do të rrinin në Maqedoni. Plani i tyre ishte që të emigronin në Greqi.


Për bllokimin e dy të rinjve ka ardhur edhe reagimi i Ministrisë së Jashtme, sipas së cilës është njoftuar për ngjarjen ambasada Shqiptare në Shkup. Zëdhënësi i kësaj ministrie, Ralf Gjoni, deklaron se vetë ambasadori i Shqipërisë në Shkup, Arben Ceku, është vënë në kontakt me dy klandestinët. Sipas tij për të shpëtuar të rinjtë policia maqedonase ka vënë në dispozicion një helikopter.


"Menjëherë sapo është njoftuar ambasadori ynë në Maqedoni Arben Ceku, janë marrë edhe masat për t'iu ardhur në ndihmë, mësohet se qytetarët janë nga Dibra, dhe se janë bllokuar në malin e Korabit, ku ka rreth dy metra borë. Gjendja e tyre është e mirë por bën shumë ftohtë dhe prioritet për ne mbetet shpëtimi i jetës së tyre. Është siguruar dërgimi i helikopterëve të ushtrisë maqedonase për tu ardhur në ndihmë",- tha zëdhënësi Gjoni.


Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme bën të ditur edhe emrat e të rinjve të bllokuar në Maqedoni, por duke theksuar se nuk janë të konfirmuar zyrtarisht. Nga të dhënat paraprake bëhet fjalë për Mojsi Selimin dhe Shaban Elezin, të dy nga Dibra. Në orët e vona një helikopter i policisë maqedonase ka lokalizuar vendin ku ndodhen dy të rinjtë shqiptarë por ai nuk ka mundur që të ulet për shkak të erës së fortë.


Deri në orët e vona të natës së djeshme nuk është bërë i mundur shpëtimi i dy të rinjve.
"Kam folur me tim bir në telefon dhe kërkoj ndihmën e shtetit", ka pohuar dje babai i Mojsi Islamit.


Policia ka lokalizuar vendndodhjen e të rinjve, të cilët mendohet të jenë rreth katër kilometra larg kufirit maqedonas. Burimet e policisë kanë shprehur dyshimet e tyre në lidhje me emigrimin e dy të rinjve. Kjo pasi për të shkuar në Maqedoni nuk nevojitet të kesh vizë. Mjafton të jesh i pajisur me një pasaportë dhe mund të kalosh kufirin lirshëm. Pas gjetjes të të rinjve pritet të mësohet edhe e vërteta e "vizitës" së tyre në Maqedoni.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›