E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drafti për tarifat e taksive pritet të miratohet brenda dhjetorit

Drafti për futjen e shërbimit të taksimetrit pritet të miratohet përfundimisht në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Bashkiak të Tiranës, më 19 dhjetor. Këshilli bashkiak e ka miratuar në parim këtë draft në mbledhjen e kaluar, por për shkak të disa saktësimeve që do të bëhen në të, miratimi përfundimtar i tij do të bëhet pas disa ditësh. Në këtë draft janë llogaritur në dy mënyra kostot e udhëtimeve, sipas atyre mesatare dhe maksimale të rekomanduara. Sipas specialistëve që kanë përgatitur këtë draft, “për tarifat mesatare në distancën deri në 2 km një pasagjer do të paguajë 300 lekë, ndërsa në rastin kur kjo largësi rritet, atëherë do të bëhen të tjera llogari, pasi përveç kësaj tarife do të futen edhe tarifa të tjera dytësore, që më pas do të llogariten në çmimin përfundimtar". Bëhet fjalë për tarifën (thirrjen) e taksisë 50 lekë, tarifa për kilometër 90 lekë dhe tarifa për kohën e pritjes 190 lekë. Ndërkaq kur rezervimi do të kryhet me radiotaksi tarifa do të jetë 60 lekë. Gjithashtu specialistët kanë llogaritur edhe komponentët e tarifës mesatare me 7 kilometra, koha e pritjes së udhëtarit është 3 minuta, ndërsa pjesa e rezervimit me radio llogaritet me 50%. Kështu tarifa e përgjithshme mesatare kap shifrën deri në 805 lekë.(Në këtë rast tarifa mesatare për distancën deri në 2 km nuk merret në konsideratë). Koha e shërbimit taksi është nga ora 06.00 e mëngjesit deri në orën 22.00, ndërkohë është sanksionuar që për ditët e festave dhe ditët e diela, tarifës fillestare do t’i shtohet një vlerë prej 5% . Për udhëtimin e mëtejshëm brenda tarifës "A" (pranë qendrës) do të shtohet një vlerë prej 20%, brenda tarifës "’B"’ (rrugë dytësore) do të shtohet një vlerë 10%, ndërsa tarifa "C" (periferi) nuk ka rritje. Gjithashtu drejtuesi i autoveturës, gjatë gjithë kohës së udhëtimit, do të përgjigjet për bagazhet e udhëtarëve.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›