E Diel, 1 Nëntor 2026

Ish-pronarët e tokës ku është ngritur aeroporti i Kukësit janë dëmshpërblyer

Eksperti i drejtorisë së Aviacionit Civil, Feim Godo, theksoi gjatë një takimit të organizuar në prefekturë



"Buxheti i shtetit ka dëmshpërblyer gjithë sipërfaqen private mbi të cilën është ngritur aeroporti i Kukësit. Nga 75 ha që është sipërfaqja e aeroportit, 57 ha janë dëmshpërblyer, ndërsa pjesa tjetër është pronë e shtetit", tha dje eksperti i drejtorisë së Aviacionit Civil, Feim Godo. Gjatë një takimi të organizuar në prefekturën e Kukësit, eksperti Godo u dha përgjigje 14 familjeve të fshatit Shtiqën, nga 420 ish-pronarë të tokës, ku është ngritur aeroporti, të cilët një ditë më parë bllokuan për afro 2 orë rrugën Kukës-Peshkopi me pretendimin se ende nuk janë dëmshpërblyer për tokën, që u është zënë nga ndërtimi i aeroportit. "Të gjithë ish-pronarët janë dëmshpërblyer në bazë të vendimit të Këshillit të Ministrave numër 95", nënvizuan ekspertët e drejtorisë së aviacionit civil. "Pas ankesave problemi është drejt rrugës së zgjidhjes, për këtë po punohet për të evidentuar se ku janë gabimet, pasi ka mbivendosje pronash, ndaj po kontrollohet gjithë procedura e ndjekur", u shpreh Godo. Sekretari i përgjithshëm i prefekturës së Kukësit, Rexhep Cena tha se "kontrolli që po ushtrohet do të evidentojë edhe personat që kanë përfituar padrejtësisht e që do të detyrohen të rikthejnë paratë". "Tashmë janë 4 ish-pronarë në proces gjyqësor për të rikthyer paratë, që kanë marrë padrejtësisht", tha eksperti i drejtorisë së Aviacionit Civil, Ylli Spaha. Për zgjidhjen përfundimtare të problemit po hartohet harta e tokës së aeroportit, sipërfaqja e saj, si dhe sipërfaqja e dëmshpërblyer pronarëve. "Me përfundimin e kësaj harte do të shihet realisht sa familje kanë mbetur pa u dëmshpërblyer e sa të tjera kanë përfituar padrejtësisht me synim që problemi të zgjidhet përfundimisht e në mënyrë të drejtë", theksoi Godo. Me këtë sugjerim janë pajtuar edhe përfaqësuesit e 14 familjeve që pretendojnë se ende nuk janë dëmshpërblyer për tokën e zënë nga aeroporti. Ndërkohë përfaqësuesit e 14 ish-pronarëve pohojnë se zgjidhja e problemit të tyre është sorollatur prej 4 vjetësh. "Qeveria ka dhënë fonde, por ne nuk kemi përfituar gjë, por vetëm sa jemi sorollatur, ndonëse kemi certifikatën e pronësisë", thotë njëri prej protestuesve, Bari Muçmata. Punimet për ndërtimin e aeroportit të Kukësit kanë përfunduar para 4 vitesh, por ende nuk është vënë në funksionim. Shkaku është marrëveshja e qeverisë shqiptare me firmën gjermane që ka me koncesion aeroportin e Rinasit, ku në një pikë të saj i lihet dorë të lirë firmës koncensionare të kontrollojë plotësisht hapësirën ajrore të vendit. Aeroporti i Kukësit u ndërtua përmes një fondi falas të EBA-së, dhuratë për popullin e Kukësit për çfarë bëri gjatë krizës kosovare të pranverës së vitit ‘99. Kostoja e ndërtimit ishte 14,2 milionë dollarë, veç disa miliona të tjerave për pajisjen e aeroportit. Ai shtrihet në një sipërfaqe prej rreth 75 ha, nga të cilat 17 ha janë të ish aeroportit të vjetër të ndërtuar në vitin '41 nga ushtria italiane. Aeroporti ndërkombëtar i Kukësit është i kategorisë C, ndërsa të gjitha punimet përfunduan brenda dy vjetëve. Ai ka një pistë prej 1,8 kilometrash të gjatë dhe është i pajisur me të gjitha mjetet gravitacionale për uljen normale të aeroplanëve.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›