Sindromi metabolik, mjekët: Bëni jetesë të shëndetshme

Të dhënat nga Ministria e Shëndetësisë tregojnë se rreth 20% e të rinjve të shkollave të mesme janë mbipeshë. Ndërsa tek femrat, kjo shifër shkon deri 26%. "Studimi në qytetin e Tiranës tregon se për mosha mbi 55 vjeç mbipesha është në 28.6%"
Nëse një person ka më shumë se tre faktorë rreziku, një ndër ta është sindromi metabolik, thonë mjekët. Në praktikën e thjeshtë klinike ky sindrom diagnostikohet thjesht, duke matur perimetrin e belit, që, sipas vlerave të përcaktuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, për femrat është mbi 85 cm dhe për meshkujt mbi 102 cm. "Nëse gjenden vlera të larta, atëherë duhet të kontrollohet trigligliceritet, hiperglicemia, hipertensioni arterial, etj", thonë mjekët. Sipas tyre, sindromi metabolik është bërë një problem shëndetësor mbarëbotëror, për shkak të përmasave pandemike që ka marrë. Mjekët thonë se ky sindrom është mjaft problematik, sepse shkakton rrezik për sëmundjet kardiovaskulare dhe për shfaqjen e diabetit tip 2. Prevalenca e sindromit metabolik në botë llogaritet deri në 35%. Në vendet e Europës ky sindrom llogaritet në 25%, në Amerikën Latine në 24-25% dhe në Azi rreth 20%. Në vendin tonë, edhe pse mungojnë shifrat e sakta mbi këtë sindrom, mendohet se ai ka tendencë për rritje të prevalencës së tij, duke qenë se ka një prirje të tillë për obezitet dhe mbipeshë në popullatë. Kjo, duke qenë se komponenti kryesor i këtij sindromi është obeziteti, shkak për të cilin është ndryshimi i mënyrës së jetesës dhe të ushqyerit, që i afrohet stilit perëndimor. Ndërkohë, për shkak se sindromi metabolik paraqet kërcënim për shëndetin, po merren masa që mjekët ta njohin atë, si dhe për të parandaluar faktorët e rrezikut që ai përmban. Vetë sindromi është një grumbull faktorësh rreziku, të cilët janë hipertensioni arterial, trigliceritet e larta, hiperglicemia, radiopoziteti qendror ose abdominal, në të cilin rritet perimetri i belit, etj. Prevalenca varet gjithashtu dhe nga mosha. Me moshimin e popullatës, prevalenca e tij rritet më shumë, por duhet tërhequr vëmendja se ky shfaqet dhe në moshat fëminore. Kështu, sipas mjekëve, në Amerikë tek fëmijët e moshës 9-12 vjeç prevalenca është 9.2%, ndaj për mjekët duhen marrë masa që në fëmijëri, në mënyrë që të kontrollohet obeziteti dhe mbipesha, e cila është një problem botëror mjaft shqetësues. Sipas mjekëve, për shmangien e sindromit metabolik, në vendin tonë duhet tërhequr vëmendja në përmirësimin e stilit të jetës, që do të thotë që njerëzit të edukohen që të ndryshojnë mënyrën e të ngrënit dhe të jetuarit. Gjithashtu, duhet tërhequr vëmendja që të rritet aktiviteti fizik, kufizimi i yndyrave me origjinë shtazore, sheqernave, sepse ndikon në prevalencën e sindromit metabolik. Ndërkohë, mjekët thonë se "mbetet shumë për t’u bërë në drejtim të sensibilizimit, pasi dhe prevalenca e sindromit metabolik është më e lartë në nivele të ulët të edukimit, kështu që duhen marrë masa duke filluar që nga mjeku i familjes, deri tek instancat më të larta".
Obeziteti dhe pasojat e tij
Të dhënat nga Ministria e Shëndetësisë tregojnë se rreth 20% e të rinjve të shkollave të mesme janë mbipeshë. Ndërsa tek femrat, kjo shifër shkon deri 26%. "Studimi në qytetin e Tiranës tregon se për mosha mbi 55 vjeç mbipesha është në 28.6%", konsideron MSH. Ndërkohë, për shkak të mungesës së shifrave në shkallë vendi, Instituti i Shëndetit Publik ka ndërmarrë së fundmi një studim për matjen e treguesve të shkallës së mbipeshës, apo obezitetit. MSH konsideron se në këtë drejtim edukimi i popullatës është i domosdoshëm. "Ne si vend jemi tamam në kohë për të punuar për informimin, edukimin e popullsisë për t’u ushqyer në mënyrë të shëndetshme", thanë burime nga MSH. Sipas tyre, "një nga qëllimet kryesore përsa i përket politikës që do të ndiqet, është të ndihmohet popullata për të bërë zgjedhjen e një mënyre ushqyerje të shëndetshme". Obeziteti (masa e madhe dhjamore, si rezultat i ngrënies së tepërt dhe djegies së pakët të kalorive të marra, apo depozitimi i tepricave kalorike) dhe mbipesha përbëjnë rrezik për një sërë sëmundjesh, sikurse diabet tip 2, hipertension, sëmundje ishemike të zemrës e të arterieve të trurit, sëmundje të tëmthit, disa tipa kanceri, si të mitrës, ovareve, gjirit, zorrës, tëmthit, prostatës, mëlçisë, etj. Sipas MSH, "obeziteti dhe mbipesha shkaktojnë probleme psiko-sociale, si nocioni i fajësisë së peshës ose realiteti social paragjykues stigmatizues për të punësuar njerëz obezë, ndërsa tek fëmijët, probleme të përparimit të ulët në mësime". Sipas një ankete, "26% e vajzave shqiptare vuajnë emocionalisht prej mbipeshës trupore".
Sipas një studimi të Bankës Botërore, "në krahasim me 10 vjet më parë, në Shqipëri vdekshmëria nga sëmundjet e zemrës, të vazave të gjakut dhe kancerit është rritur në 40%". Vetëm sëmundjet kardiovaskulore zënë 50% të totalit të vdekjeve në vendin tonë dhe në këtë fakt alarmant ndikon dhe obeziteti. Sot, në botë ka nga obeziteti 600 milion njerëz me hipertoni arteriale, 177 milion me diabet tip 2, 20 milion me kancer dhe 20 milion me sëmundje ishemike te zemrës e të arterieve të trurit. Për shkak të obezitetit çdo vit në rajonin europin vdesin një milion vetë. Por këto sëmundje mund të parandalohen apo evitohen. "Të dhënat tregojnë se mbi 80% e sëmundjeve ishemike të zemrës, 90% e diabetit të të rriturve dhe një e treta e numrit të të sëmurëve me kancer, si edhe te rasteve të vdekjeve ose vuajtjeve të lidhura me to, mund të parandalohen", thanë burimet, duke rekomanduar për këtë dietë ushqimore, aktivitet të përditshëm fizik dhe mospirje të duhanit.
Rekomandime për ushqyerjen e shëndetshme
Programet e informimit do të krijojnë mundësinë që njerëzit të jenë në gjendje të njohin dhe të bëjnë zgjedhjen e shëndetshme të ushqyerjes. Sipas MSH, nevojitet informacion i bollshëm në lidhje me ushqyerjen e shëndetshme, dietën dhe zakonet në ushqyerje, por, është në dorën e popullsisë, të secilit individ, të të gjithë familjeve, shoqërisë, për të ndalur apo jo këtë epidemi të re të shek. XXI. Për një ushqyerje të shëndetshme, Udhëzuesi Dietik rekomandon konsumimin e një larmi ushqimesh, të bazuar në ushqime me origjinë kryesisht bimore, por dhe të bukës, drithërave, orizit dhe varietete zarzavatesh e frutash disa herë në ditë (së paku 400 gr në ditë). Mbajtja e peshës trupore në limitet e rekomanduara, duke mbajtur nivele të moderuara të aktivitetit fizik, çdo ditë 30 minuta ecje e moderuar, të paktën 4 herë në javë, është e domosdoshme për shmangien e mbipeshës. Peshën e tij të shëndetshme, apo indeksin e masës trupore (IMT) çdokush mund ta përcaktojë, duke pjesëtuar peshën e tij me gjatësinë në katror. "Nëse IMT është midis 18.5-24.9 personi është normal apo i shëndetshëm; nëse IMT është midis 25-30, personi është mbipeshë dhe nëse IMT është mbi 30, personi është obez", thonë specialistët. Sipas tyre, rekomandime të tjera për ushqyerje të shëndetshme janë dhe mbajtja nën kontroll e konsumit të yndyrave (jo më shumë se 30% të energjisë ditore), si dhe zëvendësimi i mishit me dhjamë, me prodhimet e mishit me bizele, bishtajore, thierza, peshk, pule ose mish pa dhjamë. "Përdorni qumësht dhe nënproduktet e tij, që kanë sasi të pakta yndyrë dhe kripë, zgjidhni ushqime me përmbajtje të pakët sheqeri dhe konsumoni sheqer të përpunuar dhe me kursim, duke limituar frekuencën e pijeve me sheqer dhe ëmbëlsirave", këshillojnë specialistët për një ushqyerje të shëndetshme. Por, duhet pasur kujdes dhe në konsumimin e kripës, duke zgjedhur dieta me sasi të pakët kripe. Konsumi total i kripës nuk duhet të jetë më shumë se një lugë çaji (6 gr) në ditë, duke përfshirë kripën në bukë dhe ushqimet e konservuara e të përpunuara. "Nëse konsumoni alkool, konsumi limit duhet të jetë jo më shumë se 2 pije (secila të përmbajë 10 gr alkool) në ditë", rekomandohet për ushqyerje të shëndetshme.
...