13-14 dhjetor, OJF-të mjedisore mblidhen në takimin e VII kombëtar

Uji, mbetjet, cilësia e ajrit dhe pjesëmarrja publike në vendimmarrje, si çështje të mëdha mjedisore, pritet të jenë në qendër të takimit të VII Kombëtar të Organizatave Jofitimprurëse që operojnë në vendin tonë në këtë fushë. Takimi dy ditor do të nisë të shtunën në 13 dhjetor, në mjediset e hotel “Doro” në Tiranë, në përfundim të të cilit pritet të prezantohet dhe strategjia e lobimi të shoqatave mjedisore për çështje me rëndësi në këtë drejtim. Takimi kombëtar i shoqatave mjedisore është tashmë një takim i përvitshëm, ku diskutohen dhe hidhen ide për zgjidhjen e problemeve. Me të njëjtën përqasje, Milieukontakt International dhe disa anëtarë shoqatash, synojnë të organizojnë këtë vit takimin rreth diskutimit dhe pozicionimit të shoqatave për çështje të mëdha mjedisore. Sipas përfaqësuesve të Qendrës Rajonale të Mjedisit (REC), takimi i VII që do të nisë nesër është konceptuar ndërveprues dhe pjesëmarrës. Në të përfshihen katër ëorkshope paralele, që do të mbahen lidhur me temat e identifikuara, ku përveç analizimit të tyre shoqatat do të ftohen të sugjerojnë drejtimet strategjike dhe të formulojnë mesazhet për ndryshim në politika zhvillimi dhe zbatimi. Këto do të përbëjnë dhe bazën e fushatave kombëtare, që do të zhvillohen përgjatë viteve 2009 dhe 2010, në kuadër të programit "Forcimi i Shoqërisë Civile Shqiptare për një Mjedis më të mirë". Po ashtu, nëpërmjet punës në grupe do të nxitet vendosja e lidhjeve mes organizatave dhe ekspertëve të fushave të ndryshme.
...