Transmetimi dixhital një mundësi dhe sfidë që u ofrohet operatorëve shqiptarë

KKRT nis në qytetin juglindor diskutimin e projektit të transmetimit numerik për operatorët televizivë
Transmetimi dixhital është një mundësi që u afrohet operatorëve shqiptarë, por edhe një sfidë që ata duhet ta përballojnë deri në vitin 2012, kur kalohet nga transmetimi analog në epokën e transmetimit numerik ose dixhital, tha dje në Korçë zëvendësdrejtori i Këshillit Kombëtar të Radio Televizionit (KKRT), Alban Karapici. Gjatë forumit për informim dhe diskutim të projektit të dixhitalizimit të operatorëve televizivë, një takim që fazën e dytë të tij e nisi sot nga qyteti i Korçës për t’u shtrirë më pas në Vlorë dhe Durrës, zv/drejtori i KKRT-së Karapici theksoi se "eksperienca e vendeve që e kanë kaluar këtë proces tregon se duhet një strategji e detajuar dhe bashkëpunim i shumë strukturave duke filluar nga qeveria dhe deri tek qytetari i thjeshtë". Sipas tij, hartimi i strategjisë për kalim nga trasmetimet analoge në dixhitale ka përfunduar tashmë fazën e parë të përcaktimit të rrugëve se ku duhet të kalojë ky proces.
"Aktualisht jemi në procesin e këshillimit me aktorët e interesuar për zbatimin e këtij projekti dhe më pas të hartojmë strategjinë përfundimtare për të zbatuar detyrimet e transmetimeve dixhitale në vitin 2012", tha z.Karapici. Përfaqësuesit e KKRT-së në këtë forum theksuan mbështetjen e vazhdueshme që Prezenca e OSBE-së në Shqipëri ka dhënë për zbatimin me sukses të projektit. Drejtori teknik i KKRT-së, Pirro Koçi, sqaroi projektin e strategjisë së kalimit në transmetime dixhitale dhe veçoritë e tij. "Zbatimi i këtij projekti shtron para operatorëve detyrimin që të ndërmarrin vendime me karakter strategjik për të mbijetuar në treg nëpërmjet transmetimeve dixhitale", tha z.Koçi. Ai sqaroi se projekti i dixhitalizimit të operatorëve, parashikon dy rrjete kombëtare dixhitale për transmetime radiofonike dhe 2 për Tiranën. Ndërsa për transmetimet televizive, parashikohen 11 zona të vendit që do të mbulohen nga rrjete kombëtare dixhitale, ose të kombinuara këto rrjete me ato lokale. "Operatorët lokalë që do të funksionojnë me transmetim dixhital do të kenë zonën e mbulimit në rang qarku", sqaroi drejtori teknik i KKRT-së, sipas të cilit, studimi për transmetimet dixhitale parashikon që nga viti 2012 rreth 70% e vendit të mbulohet me transmetime dixhitale. Vendimi i Konferencës evropiane të postave dhe telekomunikacioneve (në të cilën bën pjesë edhe vendi ynë) që nga viti 2006 kur është vendosur kalimi nga transmetimi analog në atë dixhital, ka vënë në lëvizje edhe struktura përgjegjëse në Shqipëri. KKRT-ja në bashkëpunim me Prezencën e OSBE-së në Shqipëri po punon për projektin e dixhitalizimit të operatorëve televizivë, një proces ky që sipas afatit duhet të përfundojë në vitin 2012.
...