E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohet i riu për “Vrasje të mbetur në tentativë”

Një 31 vjeçar nga Tirana, i dënuar më parë për "vrasje", u ndalua gjatë ditës së djeshme nga strukturat e policisë së Tiranës, si autor i dyshuar i një vrasjeje të mbetur në tentativë. Burime të Drejtorisë së Policisë së Tiranës bënë të ditur se shtetasi Artur Prenga, lindur në Rubik dhe banues në Tiranë, dyshohet të jetë autor i ngjarjes të ndodhur më 28 nëntor të këtij viti, në rrugën "Shemsi Haka", kur ai tentoi të vrasë me anë të përplasjes me kamionin e tij shtetasit Lulzim Zeqaj dhe Shpëtim Myrto, të cilët ishin duke udhëtuar me automjetin tip "Mitsubishi Pajero Sport".

Sipas burimeve të mësipërme, pas kryerjes së këtij akti, 31 vjeçari Prenga, është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes, duke u përplasur më pas me autobusin e linjës Uzina e Autotraktorëve- Qendër. Gjithashtu, ditën e djeshme, nga specialistët e seksionit Kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Shëndetit, u gjet i dëmtuar në pjesë të ndryshme të trupit shtetasi Bardhyl Gjata, 50 vjeç, lindur në Korçë dhe banues në Tiranë, me detyrë punonjës i Policisë Bashkiake (fadromist). Sipas burimeve, mendohet se autor i kësaj ngjarje është 27 vjeçari Dritan Mija, nga Tirana, i cili e ka goditur me mjete të forta 50 vjeçarin  pasi ky i fundit ka qenë duke i prishur me fadromë objektin pa leje, në rrugën “Sali Nivica”, në pronësi të 27 vjeçarit. 50 vjeçari Gjata u dërgua menjëherë në Spitalin Ushtarak, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërkohë që po punohet për kapjen e autorit të kësaj ngjarjeje.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›