Drama “Kush ka frikë nga Virginia Woolf”, bashkon dy ikonat e teatrit
Izaura Ndoj
Vepra “Kush ka frikë nga Virginia Woolf”, ka bashkuar në skenën teatrore dy aktorët më të kërkuar të viteve ’90. Ato janë cilësuar si dy ikona të filmit dhe teatrit shqiptar, të cilët do të interpretojnë së bashku në skenën me datë 28 nëntor. Aktorët Viktor Zhusti dhe Eva Alikaj do të vijnë për herë të parë në skenë në dramën e amerikanit Albeee. Kjo vepër vjen me regji nga Kushtrim Bekteshi , një regjisor i ri shqiptar nga Maqedonia. Vepra më e njohur e dramaturgut amerikan Edeard Albee do të ngjisë në skenë dhe aktorët Helidon Fino dhe Eftiola Laçka. Regjisori maqedonas Kushtrim Bekteshi rrëfen se kjo pjesë e ka ngacmuar se tepërmi jo vetëm me atë ç’ka trajton, por edhe imagjinatën që krijon. “Asnjëherë nuk dua të sjell mesazh unë me shfaqjet e mia, mua më intereson të përcaktojë diagnozën e gjendjes së shoqërisë në kohën që po jetojmë dhe kjo shfaqje e përcakton atë diagnozë. Pastaj, mesazhet normal që do i përcjelle vetë shfaqja vetë teksti, nuk është vetëm një mesazh, janë disa mesazhe. Por ato do ti pranojë publiku në bazë të botëkuptimeve të veta”, thotë regjisori i ri Kushtrim Bekteshi. Kjo dramë është një nga të mirat e shekullit XX, pasi ajo flet për familjen e për gruan, për pozitat e saj, për konfliktet dhe iluzionet. Kushtrim Bekteshi është një regjisor i ri shqiptar në Maqedoni dhe deri tani ka vënë në skenën maqedonase të Teatrit Kombëtar të Shkupit tetë shfaqje. Ato janë “Akuariumi” nga Refet Abazi (2006), “Labirintet e kujtesës” nga Avni Halimi (2007) dhe “Vojceku” nga Georg Byhner (2008), “Figaro divorcohet” nga Odon von Horvath (2008) “Kurthi i vdekjes”. Regjisori Kushtrim Bekteshit vlerësohet për talentin dhe pjekurinë e tij profesionale, si edhe nivelin bashkëkohor të inskenimit. Ai ka mbaruar Akademinë e Arteve në Shkup, ku ka marrë mësim edhe nga Slobodan Unkovski, i cili është një regjisor shumë i njohur në Ballkan. Në Tiranë ai ka vënë në skenë “Xhaxha Vanja” të Çehovit, nga Ira Levin (2009).
Jeta artistike e aktores Eva Alikaj
Kur ishte vetëm 21 vjeç, fitoi Kupën si Aktorja më e mirë e Festivalit V-të të Filmit Artistik Shqiptar, me filmin “Njeriu i mirë” (1982). Një vit më pas, u diplomua për aktore në Akademinë e Arteve të Tiranës dhe iu bashkua trupës së Teatrit Kombëtar. Edhe në teatër ka një fillim shumë të mirë, me rolin e Xhulietës në tragjedinë “Romeo e Xhulieta” të Shekspirit. Vazhdon të luajë me sukses në film, duke u vlerësuar me çmime. Linda tek “Shirat e vjeshtës” (1984) i dhuron Medalionin e Festivalit VI, Etleva tek “Treni niset në shtatë pa pesë” (1988) - Çmimin e Dytë. Role të tjerë janë Ilona në “Botë e padukshme” (1987), Ana në “Jeta në duart e tjetrit” (1990), Evgjenia në “I paharruari” (1984), Drita në “Vendimi” (1984), Irena në “Hije që mbeten pas” (1985), Edlira në “Stolat në park” (1988).
Jeta artistike e aktorit Viktor Zhusti
Ka luajtur shumë role dhe përpara viteve ’90, kur lulëzonte veprimtaria në Kinostudio, ishte një nga aktorët më të kërkuar. Galeria e roleve të Viktor Zhustit është e pasur. Ka luajtur partizanin e ashpër, por edhe babain e dhembshur, të riun përpara dilemave, por edhe të dashuruarin, që mundohet të tejkalojë paragjykimet. Disa prej filmave ku ai ka luajtur, mund të përmendim telekomedinë “Shi në Plazh”, ku luan rolin e Alberit, një nga komeditë më të bukura shqiptare, që i ka rezistuar kohës. Për të vijuar me filmin “Nëntori i dytë”, ku luan rolin e Luigj Gurakuqi, “Taulanti kërkon një motër”, rolin e babait, Pirros. Një tjetër rol babai, tek “Kur xhirohej një film”, për të vazhduar me rolin e Llane Bletës tek “Dhe vjen një ditë”, “Malet me blerim mbuluar”, etj. Roli i doktorit në skenën e Teatrit Kombëtar me “Te gjithë kanë huqe” e ktheu atë pas gati 20 vjetësh në vëmendjen e publikut, ndërsa me veprën “Kush ka frikë nga Virxhinia Woolf” aktori pret të rimarrë suksesin e radhës.
24 Nentor 2009