LDK-ja në Kosovë “mban peng” projektbuxhetin e vitit 2010
Megjithëse Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, e mbështeti në parim projektbuxhetin e vitit 2010, të paraqitur nga kryeministri Hashim Thaçi, miratimi i plotë i tij, është vënë në pikëpyetje nga partneri i koalicionit qeveritar. Deputeti i LDK-së, Sabri Hamiti, ka kushtëzuar miratimin e projektligjit për buxhetin me kalimin e Ligjit për kryeqytetin, ligj ky i cili ka qenë temë debatesh gjatë fushatës parazgjedhore të LDK-së. “Ligji duhet të hyjë në procedurë. Unë e njoh Parlamentin, sepse jam parlamentar i vjetër këtu, i njoh procedurat, unë e di, që ai ligj pa dy muaj nuk kalon. Unë thashë të niset procedura. Ligji duhet të kalojë dhe kjo është domosdo. Dhe këtu unë për vete nuk heq dorë”,- tha Hamiti. Ky kushtëzim vjen pak ditë pasi që jetëgjatësia e koalicionit mes Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës u vu seriozisht në pikëpyetje.
Por, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, i cili mbrëmjen e së enjtes i kishte komunikuar homologut nga LDK-ja, Ramë Manajt, prishjen e koalicionit me LDK-në dhe lidhjen me LDD-AKR-në (Lidhja Demokratike e Dardanisë –Aleanca Kosova e Re), tha se nuk duhet vënë në dyshim stabiliteti i koalicionit PDK-LDK. “Unë besoj se më nuk do të jetë temë çështja e stabilitetit të koalicionit. Ka pasur konsultime, ka pasur risqarim të pozicioneve dhe gjërat po ecin ashtu si duhet”,- theksoi Kuçi.
I pyetur të komentojë kushtëzimet e LDK-së për projektbuxhetin, Kuçi i cilësoi si korrekte qëndrimet e partnerit të koalicionit.
Kryeministri Hashim Thaçi duke e cilësuar buxhetin të një rëndësie të veçantë për zhvillimin e vendit, kërkoi miratimin e tij. Buxheti për këtë vit do të jetë 1 miliard e 461 milionë euro, dhe paraqet një rritje prej 6 për qind, krahasuar me buxhetin e vitit të kaluar.
24 Nentor 2009