E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nisin “Ditët e kulturës shqiptare” në Shkup, Tetovë dhe Gostivar



Ka nisur manifestimi, “Ditët e Kulturës Shqiptare” në Shkup, Tetovë, Gostivar, i cili do të mbahet deri me datë 28 nëntor 2009. Një manifestim i rëndësishëm kulturor ku pritet maratonë e fotografisë, filma, koncerte, promovime e ekspozita. Prej disa vitesh ky manifestim ka zënë një vend të rëndësishëm në jetën kulturore të shqiptarëve të Maqedonisë. Manifestimi kulturor “Ditët e Kulturës Shqiptare” ka filluar dje dhe do të zgjasë deri më 28 nëntor. Në një konferencë për shtyp është prezantuar programi i pasur për edicionin e katërt të këtij manifestimi kulturor. Drejtuesi i manifestimit, aktori Avni Dalipi tha se do të ketë shumë risi. Gjatë pesë ditëve do të ketë koncerte, ekspozita, shfaqje në Teatrin Shqiptar të Shkupit dhe atë të Tetovës. Ditët e kulturës u hapën dje me shfaqjen “Shumë urime për ty” në Teatrin Shqiptar të Shkupit, për të vazhduar më pas me “Maratonën e fotografisë” ku mendohet se do të marrin pjesë rreth 15 fotografë nga vendi, Shqipëria dhe Kosova, ku sipas një teme të caktuar do të arrihet raportimi orë pas ore në një maratonë një-ditore fotografike. Nuk do të mungojnë as recitalet si dhe një maratonë e filmave shqiptarë me metrazh të shkurtër që do të mbahet më 25 dhe 26 nëntor në Teatrin Oda të Tetovës dhe Gostivarit. Mësohet se disa prej këtyre filmave janë: “Procesi”, “Vdekja Solemne”, “Njerëzit e humbur”, “Tuneli”, etj, produksione të kineastëve shqiptarë në Maqedoni. Në datën 28 nëntor, me rastin e festës së Flamurit është menduar nga organizatorët ekspozita tradicionale e piktorëve për ditën e Flamurit, e titulluar Draudakum ku do të prezantohen shumë artistë nga vendi, Shqipëria dhe Kosova. Manifestimi “Ditët e Kulturës Shqiptare” do të mbyllet me koncertin ku do të interpretojë kori filarmonik i Kosovës.

“Rikthehet” në Shkodër Danish Jukniu

Nuk është e largët thënia se “Shkodra është qyteti i artit dhe shkodranët mbruajtës të tij”. Të parët artistë pamorë si Idromeno e Marubi u bënë një pikë e qëndrueshme dhe referencë artistike për piktorët e talentuar dhe krejt të veçantë prej njëri-tjetrit si Jakup Keraj 1933-1987, Ismail Lulani 1933-2002 e Danish Jukni 1934-2003. Ata janë tre piktorë të rëndësishëm të historisë së pikturës realiste në Shqipëri. Është hapur dje në Galerinë e Arteve në Shkodër, ekspozita me vepra të piktorit Danish Jukniu (1934 - 2003), piktorit të guximshëm dhe modernist, që theu kufijtë e artist socialist në telajo. Ky aktivitet është bashkëpunim i GA-së Shkodër me koleksionin privat “Preval” të Shirazi dhe Aida Kastratit. Ekspozita përmbledh vepra të fondit të GA-së Shkodër dhe një numër veprash të pa ekspozuara më parë të autorit Danish Jukniu. Ai i ka qëndruar kaq pranë pikturës, aspak si akt, por si domosdoshmëri jetike, sa të detyron ta kërkosh për kudo delikatesën e tij artistike. Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun deri më 30 nëntor 2009.

24 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›