Serbia hap në kufi me Kosovën bazën më të madhe ushtarake
Blerina Olldashi
Vetëm 15 kilometra larg kufirit me Kosovën, Serbia ka hapur dje bazën e saj më të madhe ushtarake, në Luginën e Preshevës. Në ceremoni ishin të pranishëm autoritetet më të larta të vendit si presidenti Boris tadiç, kryeministri Mirko Cvetkoviç si dhe ministri i Mbrojtjes Dragan Shutanovaç. Presidenti Tadiç që mori pjesë në hapje, tha se Serbia ka dy qëllime kryesore strategjike: hyrjen në Bashkimin Europian dhe ruajtjen e integritetit territorial dhe të sovranitetit në Kosovë. Ai theksoi se Serbia kurrë nuk do të tërhiqet nga këto dy qëllime. Baza ushtarake në Cepotinë, përfshin një hapësirë të madhe prej dhjetëra hektarësh, e dislokuar vetëm 15 kilometra larg Bujanocit, në drejtimim të kufirit me Kosovën. Baza e quajtur “Jug” është ndërtuar në 35 hektarë sipërfaqe, në të cilën janë investuar 1 miliard e 700 milion dinarë. Në të janë 66 objekte me një siperfaqe prej 22 mijë m2, ku do të mund të vendosen 1 000 ushtarë profesionalë. Në të ardhmen planifikohet që në këtë bazë të ndërtohen anekse në një sipërfaqe prej 60 hektarësh. Ndërtimi i objekteve ushtarake është kundërshtuar nga institucionet e shqiptarëve të Preshevës dhe të Bujanocit, duke e vlerësuar atë të panevojshme dhe se me këtë shqiptarët e këtij rajoni do të jenë “pushtuar” në shtëpitë e tyre. Ndërkaq, sipas krerëve shtetërorë të Serbisë, kjo bazë ushtarake është e një rëndësie të veçantë për ruajtjen e stabilitetit në rajonin e Luginës së Preshevës. Ajo përfshin një hapësirë të madhe prej dhjetëra hektarësh, e dislokuar vetëm nja 15 kilometra larg Bujanocit, në drejtimi të kufirit me Kosovën. Lidhur me përurimin e kësaj baze ushtarake, ka reaguar prefekti i komunës së Preshevës Ragmi Mustafa, i cili ka deklaruar se me këtë bazë ushtarake tani e tutje shqiptarët e Luginës së Preshevës do të ndihen si të “pushtuar” në shtëpitë e tyre dhe ka shtuar se ka kaluar koha e konflikteve të armatosura dhe se ndërtimi i kësaj baze është e panevojshëm. Ndërkaq prefekti i Bujanocit, Shaip Kamberi ka thënë se ndërtimi i kësaj baze ushtarake në Luginë të Preshevës, paraqet militarizim të këtij rajoni dhe se me këtë edhe më shumë vihet në pah gjendja e jashtëzakonshme në Luginën e Preshevës. Shqetësim të madh kanë shprehur edhe disa banorë të zonës, të cilët kanë përcjellë me shqetësim ceremoninë e përurimit, si dhe paqartësinë për pasojat e kësaj baze në zonën e cila prej kohësh shihet si problematike.
Britania fillon hetim të ri për luftën në Irak
Personi i ngarkuar me një hetim të gjerë për rolin e Britanisë në luftën në Irak, Sër Xhon Çilkot, ka thënë se komisioni i tij nuk do të nxjerrë një raport që është mbulues, por ai do të jetë një relacion i plotë dhe depërtues. Hetimi që fillon ditën e sotme, vjen në mesin e kritikave në rritje përse Britania iu bashkua pushtimit të Irakut. Politikanët, përfshirë edhe ish-kryeministrin, Toni Bleir do të thërriten për të dhënë dëshmi gjatë vitit të ri. Sër Xhon, që është një nëpunës civil në pension, tha se hetimi do të ishte i pavarur dhe pa paragjykime.
Që kur hetimi për Irakun u ngrit pesë muaj më parë, kritikët kanë vënë në dyshim nëse komisioni i zgjedhur prej qeverisë mund të jetë i pavarur prej saj. Kreu i komisionit Sër Xhon beson se mund të jetë. Komisione të tilla, argumenton ai, duhet të përfshijnë njerëz me njohuri të brendshme për shërbimin civil. Por ai këmbëngul se ai dhe kolegët e tij janë të paanshëm dhe me mendje të hapur. Zyrtarë të opozitës kanë shtruar pyetjen përse të mos përdoret një avokat për të marrë në pyetje politikanët dhe punonjësit civilë, sepse janë më me eksperiencë për të menaxhuar situata të vështira.
24 Nentor 2009