E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drama e Dukës: Ta mbajë, apo ta flakë Bariçin

Dash Frashëri
Me mbi 2 mijë ndeshje të drejtuara të karrierës së tij 40-vjecare si trajner futbolli, 75-vjecari Oto Baric është kthyer në një legjendë. Por ajo që e bën më intrigues figurën e tij është kontrasti midis "plakjes së tij" dhe "rinisë" së ekipeve që ai ndërton. Një kontrast prej të cilit ai mbijeton. Rinohet. Kroati nuk është i punësuar si trajner i Shqipërisë deri më 21 nëntor 2007, kur mbaron edhe kontrata e tij, pas përfundimit të ndeshjes me Rumaninë, e fundit në fushatën kualifikuese për Euro 2008. Media ka përmendur në fakt sllovenin Srecko Katanec si pasues të Baricit, duke parë faktin se ai paguhet në Maqedoni 120 mijë euro, kur Baric merr në Shqipëri 300 mijë euro, thuajse trefishin. Gjithsesi, Duka e ka mohuar hë për hë interesimin e tij për Katanecin. "Plaku i artë" Kur trajneri gjerman Hans Peter Brigel refuzoi nënshkrimin e kontratës së tretë me FSHF-në, edhe pse kishte vendosur shtatë rekorde me Kombëtaren shqiptare, midis tyre: 13 pikë të grumbulluara e 32 ndeshje të drejtuara në vazhdimësi (18 zyrtare, 14 miqësore), presidenti Duka, përpara se të përzgjidhte kandidaturën e Oto Baricit, kishte takuar e refuzuar emra të tillë si italiani Nevio Skala, gjermani Pier Litbarski, hungarezi Bickei, francezi Klod Lë Rua, me të cilët përvecse nuk kishte rënë dakord nga pikëpamja financiare, nuk ishte bindur për staturën e tyre për të kryer "revolucionin" e pritshëm kuqezi. Emri i kroato-austriakut Baric, i cili më parë kishte drejtuar kombëtaret e Austrisë dhe Kroacisë, ishte i fundit që u shqiptua nga Duka, duke befasuar atëherë jo pak opinionin sportiv shqiptar, për faktin e thjeshtë se Oto, atëherë 74 vjec, ishte njëherësh edhe trajneri më i vjetër në moshë në botë që nënshkruante një kontratë pune (300 mijë euro për 18 muaj) me një federatë futbollit. Një "plak" i paguar në ar, thanë disa atëherë, por harruan se kishin blerë një "bibliotekë futbolli": ku harmonizohet në mënyrë perfekte taktika me grintën, strategu me dinakërinë, dashuria për futbollin me suksesin. Baric e meriton Tekniku është një staticien i mirë i punës së tij. Dhe në tavolinën e punës së presidentit Duka mund të vendosë dosjen e bilancit të tij: me suksese që nuk i ka arritur askush më parë, as Astrit Hafizi, më rezultativi nga trajnerët shqiptarë, dhe as Brigeli, më produktivi nga trajnerët e huaj. E në grafikun e statistikave, brenda 12 muajve Baric ka kapërcyer me "galop" si një "kalë race" edhe legjendën Loro Borici, ndaluesin e madh të Gjermanisë, Shyqyri Rrelin e fitores madhështore me Belgjikën, "ushtarakun" Bejkush Birce, që e disiplinoi atë, "liberalin" Neptun Bajko, që e modernizoi apo Medin Zhegën, trajnerin që habiti mediat gjermane dhe të gjithë botës, kur qëndroi në pistë në rrebeshin e shiut. Baric e meriton të qëndrojë. Jo thjesht se është dashuruar me Shqipërinë. Por, se ndryshe nga modesti Brigel, që mori nga Shqipëria, akademiku Baric i dha Shqipërisë. "Otto, rri me ne!" Nuk është thjesht një përsëritje e banderolës së grupimit më të madh të tifozëve shqiptarë, "Tifozët kuq e zi", të ekspozuar me krenari në mitikun shqiptar, por një mesazh i drejtpërdrejtë për presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, përkrah të cilit në tribunën VIP të "Qemal Stafës", qëndroi për 65 minuta edhe "plakushi i xhindosur" pas ndëshkimit më karton të kuq nga "gjysmëpatrioti" i tij, austriaku Fric Stuhlik. Vlera financiare e kontratës (e lartë sigurisht për FSHF-në), duket se është edhe një nga pengesat e mëdha për të rinënshkruar me Baricin. Kroati shpeshherë e ka përsëritur se ai nuk lutet, edhe pse toni i tij e ka një nuancë "kërcënimi" kur publikisht pranon se e ka një ofertë fenomenale në dorë, të cilën mund ta parafirmosë në fund të tetorit dhe ta zyrtarizojë në fund të nëntorit, atëherë kur dhe kontrata e tij përfundon. Perëndimori Duka Presidenti i FSHF-së e di më mirë se kushdo tjetër se c'duhet të bëjë, pasi dhe e drejta e përzgjedhjes dhe emërimit është një e drejtë ekskluzive e tij. Duka njihet për vizionin e tij perëndimor dhe fiksimin pas trajnerit të huaj. Edhe kur italiani Xhuzepe Dosena braktisi Kombëtaren shqiptare, pas vetëm dy ndeshjesh zyrtare në drejtimin e saj (Shqipëri-Zvicër 1-1, Rusi-Shqipëri 4-1), bosit të FSHF-së, edhe pse iu bë presion i jashtëzakonshëm nga media dhe specialistët shqiptarë (edhe nga ish-trajnerë të futbollit), ai nuk hoqi dorë nga pista e huaj. Midis italianit Antonio Kabrini ai zgjodhi gjermanin Hans Peter Brigel. Duka dhe këshilltarët e tij sportivë e kanë vendosur përfundimisht se trajneri i Kombëtares do të jetë me kombësi të huaj. Por a do të jetë sërish kroati Baric apo slloveni Katanec që aktualisht drejton Maqedoninë, dhe është gati 30 vjec më i ri se Oto, askush nuk e di. Duka është gati për surprizën e radhës...

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›