Drama për golin e Henri, të gjithë kundër të gjithëve
PARIS- Prekja me dorë e Tieri Henri, që i dha Francës kualifikimin përballë Irlandës, është kthyer në një psikodramë në Francë. Sulmuesi ka deklaruar se ishte shumë pranë tërheqjes nga kombëtarja për shkak se Federata nuk e mbrojti, ndërsa ka ardhur reagimi i zyrtarëve. Zëvendës presidenti Noel Lë Gre e hodhi poshtë këtë deklarim duke thënë se ai vetë i ka telefonuar dy ditë pas ndeshjes, ashtu siç ka bërë edhe presidenti i Federatës. Por, sipas Henri kjo ka ndodhur pasi ai vetë ka shpërndarë një komunikatë ku kërkonte që ndeshja të riluhej. “Unë vetë e kam mbrojtur duke folur në radio, madje dhe e kam telefonuar”, tha Lë Gre. Në mbrojtje të sulmuesit ka folur edhe Karla Bruni, bashkëshortja e presidentit Nikola Sarkozi. “Faulli nuk është parë, kështu që nuk është i dënueshëm”, ka thënë Bruni. E ndërkohë, ai që mbetet i njëjti është Rajmond Domenek, i vënë në qendër të sulmeve nga të gjithë në Francë. I fundit ka qenë Erik Kantona. “Domenek është trajneri më i keq që nga koha e Lugjit të 16-të”, tha ish-sulmuesi i Mançesterit. “Nuk e dija që Luigji i 16-të ka qenë trajner, - ka qenë përgjigja ironike e Domenek. – Kantona drejton kombëtaren e futbollit në plazh dhe nuk ka arritur ta kualifikojë në Botëror. Prekja me dorë e Henrisë ndodh 200 mijë herë në sezon, por ne francezët kemi maninë të vetëakuzohemi. Ajo është një çështje që i takon arbitrit”, ka deklaruar më tej trajneri i kombëtares franceze. Një tjetër sulm ndaj tij ka ardhur edhe nga ish-kampioni i botës Bicente Lazarazu’ në revistën France Football. “Domenek duhet të ndalojë së talluri me njerëzit dhe të shpjegojë mënyrën se si do të luajë Franca. Skuadra e parë deri më tani është inekzistente. Domenek nuk ka fituar asgjë, të kualifikosh 3 herë Francën në kompeticionet ndërkombëtare nuk ka asnjë vlerë”, ka deklaruar ish-mbrojtësi i kombëtares franceze.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)