Policia maqedonase, gjueti ndaj tregtarëve shqiptarë
Policia e Maqedonisë, në bashkëpunim me Inspektoratin e Tregut, ka vënë në shënjestër qytetin e Tetovës, gjegjësisht tregtarët të cilët mezi sigurojnë kafshatën e bukës. Ministria e Punëve të Brendshme ka ndërmarrë kohëve të fundit një seri aksionesh për të parandaluar shitjen e rrobave dhe veshmbathjeve, të cilat janë kopje të prodhimeve dhe markave të njohura si "Dolce Gabana", "Levis", "Adidas", etj. Tregtarët shqiptarë thonë se Inspektorati i Tregut dhe institucionet e tjera kompetente po përdorin standarde të dyfishta, pasi, sipas tyre, po kontrollohen vetëm shitoret e tetovarëve. "Qytetet e tjera të banuara me maqedonas, edhe pse është një situatë e njëjtë, asnjëherë nuk janë ndërmarrë aksione të tilla. Ky shtet nuk i lejon të sigurojnë kafshatën e bukës", thotë një tregtar shqiptar, të cilit i konfiskuan mallin. Gjatë aksionit të fundit të realizuar ditën e premte janë përfshirë 15 objekte, në të cilat thuhet se janë prodhuar dhe shitur prodhime të falsifikuara, në përgjithësi rroba dhe veshmbathje. Në këto objekte në përgjithësi janë marrë rreth 50 mijë prodhime, më së shumti këpucë dhe atlete, kopje të markave të njohura si "Adidas", "Puma", "Dolce Gabana" "Levis", "Nike" dhe të tjera. Gjatë kontrollit është zbuluar edhe një minifabrikë e paligjshme me tre persona të punësuar për prodhimin e këpucëve dhe atleteve të falsifikuara. Ministria e Punëve të Brendshme ka deklaruar se gjatë kontrollit janë vërtetuar edhe shumë shkelje dhe parregullsi, të cilat, sipas saj, do të sanksionohen konform ligjeve në fuqi.