E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vizat, Bosnja rrezikon shtyrjen e gjatë

Përfaqësuesi i lartë i OKB-së në Bosnjë e Hercegovinë (B-H), Valentin Incko, beson se ky vend do të përfitojë nga liberalizimi i vizave në korrik të vitit të ardhshëm (2010) dhe do të anëtarësohet në Bashkimin Europian pas vitit 2014. "Shpresojmë se liberalizimi i vizave për këtë vend do të realizohet më 1 korrik të vitit të ardhshëm. Diferenca prej gjashtë muajsh mes heqjes së vizave për Serbinë, Maqedoninë e Malin e Zi dhe për B-H-në do të pranohej në njëfarë mënyre, por, në qoftë se kjo diferencë shkon deri në një vit, atëherë kjo do të jetë katastrofë për psikologjinë e njerëzve këtu", vuri në dukje, midis të tjerash, përfaqësuesi i lartë i bashkësisë ndërkombëtare në Sarajevë, në një intervistë që dha dje në gazetën e përditshme austriake "Standard". "Duhet ta kuptoni se, para së gjithash, kemi të bëjmë me një problem boshnjak. Nuk mendoj se serbët e Bosnjës, në shumicën e tyre, do të kërkojnë të pajisen me pasaporta serbe, mbas liberalizimit të vizave për banorët e Serbisë mbas 19 dhjetorit të këtij viti. Por, nëse diferenca kohore shkon deri në një vit ose më shumë, atëherë askush nuk do të mund të garantojë se kjo nuk do të ndodhë", theksoi diplomati i lartë austriak. Pyetjes nëse Zyra e Përfaqësuesit të Lartë të OKB-së në B-H do të mbyllet, sikurse flitet, në shkurt të vitit të ardhshëm, Incko iu përgjigj se ai ashtu shpresonte, sepse kjo gjë do ta afronte më shumë Bosnjë-Hercegovinën me Europën. "Megjithatë, dua të theksoj se përvoja ka treguar, madje disa herë, se përpjekje të tilla janë bërë edhe më parë. Tashmë tre ose katër paraardhës të mi kanë thënë se ata do ishin përfaqësuesit e lartë të fundit të bashkësisë ndërkombëtare në Bosnjë-Hercegovinë, por nuk ndodhi kështu".

m.s.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›