E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drame, Roben kualifikon Bajernin

Bajerni ka arritur në gjysmëfinale të Champions League, pas një mbrëmje magjike kundër Mançester Junajtid në "Old Traford". E gjendur shumë shpejt në disavantazhin e 3 golave, skuadra nga Mynihu ka mundur të reagojë, duke nxjerrë jashtë këtij kompeticioni "Djajtë e Kuq", finalistët e dy edicioneve të fundit. 3-2 për anglezët ka përfunduar takimi i mbrëmshëm, i cili ka qenë një spektakël i vërtetë për 90 minuta. Të dyja skuadrat kanë sulmuar papushim, duke dhuruar emocione të panumërta. Mançesteri pati gjithçka në dorë në pjesën e parë, por skuadra e Ferguson edhe këtë herë bëri të njëjtin gabim si në Gjermani, duke nënvlerësuar jo pak kundërshtarin. Bajerni arriti një kualifikim të merituar, falë shpirtit që tregoi në 180 minuta, ndërsa kampionët e Anglisë janë detyruar të braktisin Champions League, aty ku vitet e fundit kanë qenë një ekip i frikshëm. Tashmë bavarezët do të gjejnë në finale francezët e Lionit, të cilët mundën të kualifikoheshin përballë Bordosë, pavarësisht humbjes 1-0 të pësuar mbrëmë. Rezultati 3-1 në "Gerland" vendosi gjithçka në derbin francez, që sërish dhuroi emocione të shumta.
Ndeshja
Në "Old Traford", Aleks Ferguson i habiti të gjithë duke aktivizuar që nga minuta e parë Uejn Runin e dëmtuar. Sulmuesi anglez nuk kishte thuajse asnjë shans përpara fillimit të takimit, megjithatë skocezi e ka parë të pamundur të luante pa të. Pas vetëm 3 minutash, Derrën Gibson zhbllokoi rezultatin, duke goditur saktë përballë Hans Jorg But. Ndeshja u duk e përfunduar në minutën e 7-të, kur portugezi Luis Nani realizoi një gol spektakolar me finte. Më pas, "Djajtë e Kuq" e administruan mjaft mirë ndeshjen, duke përfituar edhe nga një Riberi jo në formën e tij më të mirë. 4 minuta nga mbyllja e pjesës së parë, Luis Nani shënoi një tjetër gol, duke goditur saktë pas pasimit të Rafael në zonë. U duk e përfunduar, por nuk kaluan as 120 sekonda dhe Ivica Oliç rihapi takimin. Një gabim në mbrojtje dhe sulmuesi kroat goditi në mënyrë të prirët, duke mos i dhënë shumë shanse Edvin Van der Sar. Pjesa e parë u mbyll me 3 minuta shtesë emocionuese, ndërsa e dyta nisi mjaft keq për Mançesterin. Nuk kaluan 5 minuta dhe Rafael Da Silva mori kartonin e dytë të verdhë për një faull kundër Riberi në mesfushë. "Djajtë e Kuq" me 10 vetë, ndërsa Bajerni hidhet i gjithi në sulm. Por, rastet e pastra për skuadrën bavareze munguan, pasi mbrojtja e Mançesterit nuk lejoi asgjë. Minuta e 74-t solli edhe momentin kyç të ndeshjes. Pas një goditje këndi, Riberi kroson në limitet e zonës dhe Arjen Roben me një goditje spektakolare fluturimthi arrin të realizojë. Asnjë shans për Van der Sar për të pritur atë goditje në cepin e portës. Praktikisht, këtu përfundoi gjithçka, me Bajernin që kualifikohet.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›