E Diel, 1 Nëntor 2026

Obama takon kreret e vendeve ish- komuniste, Shqiperia e paftuar

PRAGE- Presidenti amerikan, Barak Obama do të takojë sonte në një darkë në Pragë liderët e 11 vendeve ish-komuniste që janë pjesë e Aleancës së Atlantikut të Veriut. Presidenti Obama ndodhet në Çeki për të firmosur një marrëveshje çarmatimi me homologun rus Medvedev.

Në takim do të jenë të pranishëm liderët e Bullgarisë, Kroacisë, Republikës Çeke, Sllovenisë, Sllovakisë, Rumanisë, Polonisë, Estonisë, Hungarisë, Lituanisë dhe Letonisë. Në këtë takim nuk është ftuar Shqipëria.

Një zëdhënës i ambasadës amerikane në Tiranë i cituar sot nga GSH thotë se arsyet e mungesës së përfaqësuesve të Shqipërisë në Pragë është se takimi do të fokusohet mbi Europën Qendrore dhe Lindore. Megjithatë ai shton se SHBA vlerëson aleancën me Shqipërinë. Ndërsa zëdhënësja e kryeministrit Berisha, Juela Meçani u shpreh për GSH se "nuk ishte në dijeni të çështjes, ndaj nuk mund ta komentonte atë".

Sipas "New York Times"-it, kjo darkë është një përpjekje e administratës Obama për të balancuar ambicjet e Rusisë për të shtuar kontrollin e saj mbi rajon. "Kjo është një përpjekje për t'u takuar, konsultuar dhe konfirmuar angazhimin tonë për siguri në Europë", deklaroi zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Robert Gibs. Një vit më parë, në fjalimin e mbajtur në njërin prej shesheve të Pragës, presidenti Obama tha se ëndërronte për një botë pa armë nukleare. Ai do të nënshkruajë sot një marrëveshje historike për reduktimin e armëve bërthamore me presidentin rus Medvedev. Kjo marrëveshje do të zëvendësojë traktatin e mëparshëm START-1 që hyri në fuqi në vitin 1991. Presidenti Obama e ka vendosur çarmatimin nuklear në zemër të politikave të tij. Për këtë arsye ai fitoi edhe çmimin “Nobel” për paqen. Javën e ardhshme, Obama do të marrë pjesë një një samit të 40 vendeve ku do të diskutohet problemi i çarmatimit.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›