Dramë në “Meazza”, Interi e Pacini përmbysin Palermon
Interi ka arritur një fitore epike në “Giuseppe Meazza” përballë Palermos në ndeshjen më të mirë të zhvilluar nga zikaltërit në këtë sezon në Serie A, me rezultat 3-2, duke rikthyer dizavantazhin prej dy golave falë një pjese të dytë të inspiruar nga blerja më e fundit, sulmuesi Xhampaolo Pacini. Interi e nisi shumë, shumë keq këtë takim. Fabrizio Mikoli mori një pasim fenomenal nga Kasani (5’) për të realizuar për epërsinë e parë të Palermos. Interi tentoi shumë herë për ta barazuar rezultatin, por forma e jashtëzakonshme e portierit më të mirë këtë sezon në Serie A, Salvatore Sirigus e bëri të veten. Antonio Noçerino e dyfishoi epërsinë e Palermos falë një goditjeje precize, të cilën nuk e perceptoi saktë i rikthyeri Zhulio Sesar, 2-0 për Palermon dhe ndeshja për zikaltërit bëhet edhe më e vështirë. Interi bëri presion të madh në vazhdim të takimit, por nuk arriti deri te goli, edhe njëherë kjo për shkak të portierit fantastik Salvatore Sirigu. Në pjesën e dytë, Leonardo bëri ndryshime. Hedh në fushën e lojës blerjet e reja, Xhampaolo Pacinin dhe Husine Kharzhan. Debutimin e ëndrrave Pacini e filloi në minutën e 57-të, kur pas një pasimi nga Husine Kharzha, realizoi lehtë duke ngushtuar shifrat në 2-1. Në vazhdim të takimit Interi ‘vërsuli ujqit’ në sulm. Maikon u shfaq edhe njëherë perandorak kur me një harkim mjeshtëror gjeti sërish Xhampaolo Pacinin, i cili me kokë shënoi për 2-2 dhe debutimin e tij hyjnor (73’). “Giuseppe Meazza” në këmbë me shpresë për një fitore… Duhet thënë se Palermo pati në dorë mundësinë për ta mbyllur përfundimisht sfidën, por Havier Pastore gaboi nga pika e bardhë e penalltisë.
Nuk kaluan as tri minuta të plota dhe Xhampaolo Pacini del sërish në skenë duke fituar një penallti, të cilën e shndërroi në gol Samuel Eto’o (76), që çon peshë gjithë stadiumin. Rezultati mbeti i pa ndryshuar dhe Interi në fund fitoi me rezultat 3-2. Me të vërtetë ishte kjo një paraqitje e jashtëzakonshme në debutimin e Xhampaolo Pacinit dhe një rikthim dramatik e fitore e pa besueshme e zikaltërve, të cilët qënduar kështu në korsinë e titullit. Interi me këtë fitore heroike e sheh veten në vendin e pestë me 38 pikë, nëntë më pak se Milani, por zikaltërit kanë një ndeshje më pak.
Serie A – Java 22
Rezultatet
Lacio – Fiorentina 2-0
Katania – Milan 0-2
Breshia – Kievo 0-3
Bolonja – Roma Shtyrë
Kajliari – Bari 2-1
Xhenoa – Parma 3-1
Inter – Palermo 3-2
Leçe – Çezena 1-1
Napoli – Sampdoria 4-0
Juventus – Udineze X-X