E Shtunë, 31 Tetor 2026

Draskovic: Serbia Në Evropë, kur të pranojë Kosovën

SERBI - Lideri i Lëvizjes së Ripërtëritjes Serbe, Vuk Draskovic, thotë se Serbia nuk do të nis kurrë bisedimet e anëtarësimit në BE, përderisa serbët nuk e pranojnë të vërtetën se Kosova është ndarë nga Serbia pas humbjes së luftës me NATO-n dhe pas nënshkrimit të kapitullimit në Kumanovë.

“Kryeministri (Ivica Dacic), përsëri është duke thënë se Kosova është territor i Serbisë. Njeriu i ngarkuar për zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit është kundër kësaj marrëveshjeje”, thotë Draskovic për Novosti. “Pavarësinë e Kosovës e njohin më shumë se gjysma e shteteve anëtare në OKB, e ne, edhe më tutje, lobojmë nëpër botë kundër pranimit të kësaj pavarësie”.

Draskovici është opozitar, por mbështet politikën e Partisë Nacionale Serbe të Tomislav Nikolicit dhe Aleksandar Vucicit.

“Synimet e tyre të proklamuara për Serbinë në BE dhe Perëndim, qërimi i hesapeve me krimin dhe korrupsionin, normalizimi i raporteve me Kosovën, përputhen me qëllimet e partisë sonë. Nuk mund të jemi opozitë me programin për të cilin angazhohemi që nga 1990. Prandaj, e mbështesim Vucicin për ta zbatuar këtë politikë”, transmeton Telegrafi.

(a.k/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›