E Diel, 1 Nëntor 2026

Dream Team, rekord prej 156 pikësh në Londër

LONDER-Kombëtarja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në basketboll për meshkuj ka mundur 156-73 Nigerinë, duke vendosur një rekord të ri pikësh në Olimpiadë.
Karmelo Antoni me 37 pikë, Rasëll Uestbruk me 21 dhe Kobi Brajant me 16 ishin më të mirët për amerikanët. Më në fund, krahasimi me Dream Team të vitit 1992 duket se po bëhet realitet për skuadrën e Majk Krizevskit. Pas nisjes disi “soft” ndaj Francës dhe uljes së ritmit ndaj Tunizisë, yjet e NBA kanë “shpërthyer”, duke e kthyer në stërvitore ndeshjen ndaj Nigerisë.
“Kur nxehemi, jemi një problem për këdo”, thotë Kobi Brajant. Rekordi i mëparshëm i pikëve mbahej nga Brazili, që realizoi 138 ndaj Egjiptit në vitin 1988. Vetëm në periodën e katërt, amerikanët realizuan 78 pikë, një rekord i frikshëm ky. Për kombëtaren e SHBA, rekordi i mëparshëm ishte 133 pikë në Atlanta 1996, me skuadrën e Shakil O’Nil. Po ashtu, 71 % e gjuajtjeve të sakta, është një rekord më vete, ndërsa Karmelo Antoni, kaloi rekordin e amerikanit tjetër, Stefën Marbëri, kundër Spanjës në vitin 2004.
Antoni shënoi 10 nga 12 gjuajtjet për 3 pikë, një rekord edhe ky. Po ashtu, edhe 41 asistet, 11 prej të cilave nga Kris Pol, janë një shifër e paarritur më parë, madje përpara legjendarit Xhon Stokton.

(d.b/a.latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›