Londer 2012 perjashtohet nje tjeter sportist

Një gjimnaste e disiplinës artistike nuk do të garojë në Londër 2012. Sportistja nga Uzbekistani, e quajtur Luiza Galiulina, doli pozitive për përdorim dopingu të substancës furosemidë. Për Galiulinën u krye fillimisht prova A dhe më pas edhe prova B që konfirmoi rezultatin e së parës.
Furosemida përdoret në mjekësi për të kuruar tensionin e lartë të gjakut dhe probleme të zemrës, por po ashtu përdoret në garat me kuaj për të ndaluar hemoragji të gjakut nga hundët e kalit në konkurrim e sipër.
Fillimisht, ajo u pezullua më 29 korrik pasi në urinën e saj u gjetën shenja të diuretikut, substancë që pengon zbulimin e dopingut.
Galiulina ka marrë pjesë edhe në Lojrat Olimpike në Pekin 4 vjet më parë, ndërsa rrezikon një dënim 2-vjeçar duke qenë se ky është rasti i saj i parë që del pozitive me doping.
Gjimnastja uzbeke, e vetmja përfaqësuese e vendit të saj në këtë sport në Olimpiadë, bëhet i treti sportist që rezulton pozitiv për doping në këto lojra. Më parë, u përjashtuan peshëngritësi ynë, Hysen Pulaku, dhe atletja e garave të shpejtësisë nga Sent e Nevis, Tameka Uilliams.