E Shtunë, 31 Tetor 2026

Frike per kryebashkiakun e Londres

Ndodh që mbetet i varur në ajër edhe një politikan i lartë siç është kryebashkiaku i Londrës. Boris Xhonson, po hynte në një mënyrë krejt origjinale në një festë olimpike, në një nga parqet e Londrës, kur pajisja me të cilën po lëvizte ngeci dhe ai mbeti i pafuqishëm disa metra mbi tokë.
Zoti Xhonson njihet si një politikan tepër i veçantë dhe me krijimtari të fuqishme, veçse jo gjithnjë ndodh që planet të realizohen. Këtë herë kishte zgjedhur një lojë që pëlqehet shumë nga fëmijët e shkollës.
Sapo e pa që ngeci, kryebashkiaku bëri shaka duke kërkuar ndihmë nga gazetarët, duke thirrur “më jepni një shkop”. i veshur me kostumin e tij të pangatërrueshëm dhe me këpucët po ashtu veç të tjerëve, me helmetë në kokë, Xhonson kishte në duar dy flamuj britanikë të “Junion Xhekut”.
Kur këmbët i zunë tokë më në fund, politikani konservator deklaroi se një përvojë të tillë ia rekomandon kujtdo, pavarësisht nga problemi që pati pranë Parkut Viktoria.
Kryebashkiaku është tepër popullor në Londër dhe në sondazhet në opinionin publik, madje në Britani parashikojnë që një ditë ai të bëhet kryeministër në vend të Dejvid Kameronit.
Një zëdhënëse e tij deklaroi se, ndryshe nga vozitëset britanike dhe çiklisti Bredli Uigins, zoti Xhonson nuk do të marrë ndonjë medalje ari për veprimin që bëri.
Ndërkaq, në Twitter u postuan mesazhe sipas të cilëve, skuadra britanike e femrave e gjuajtjeve me hark do të zhvendosej menjëherë në Parkun Viktoria për ta përdorur kryebashkiakun si shënjestër të shigjetave të tyre. Më pas, këto njoftime dolën të pavërteta.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›