E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sherr shqiptar per dopingun

Një sherr i madh ka plasur mes shqiptarësh të sportit, ndërsa shpresa më e madhe është që kjo stuhi të qartësojë ujrat. Shefi i ekipit olimpik shqiptar në Londër 2012, Viron Bezhani, ka akuzuar Federatën Shqiptare të Peshëngritjes (FSHP) se është fajtore në rastin e pezullimit për doping të sportistit tonë Hysen Pulaku nga lojrat olimpike.
Sipas Bezhanit, Federata nuk ka vepruar për të parandaluar këtë rast, pasi nuk ka bërë kontrollet e duhura para Olimpiadës, duke u mjaftuar thjesht me një pyetje-përgjigje me sportistin. Sipas tij, Pulaku ka 1 vit e gjysmë që nuk ka bërë asnjë kontroll antidoping, duke qenë i vetmi si i tillë.
Bezhani theksoi se ky ishte rasti i tretë i dopingut në peshëngritjen shqiptare vetëm në vitin 2012 dhe ftoi drejtuesit e saj të jepnin dorëheqjen.
Po ashtu, sipas mediave, Bezhani ka deklaruar se peshëngritësja Romela Begaj nuk arriti të jepte rezultatin e saj më të mirë për shkak se është larguar nga ish-trajneri i saj, Hektor Shaqiri. Shefi i ekipit olimpik ka akuzuar Federatën e Peshëngritjes se nuk ka standarde në përzgjedhjen e trajnerëve.
Nga ana e tij, sekretari i përgjithshëm i kësaj federate, Ilir Kraja, është mbrojtur duke thënë se fajtor për Pulakun është gjithashtu edhe Komiteti Olimpik që duhej të kishte bërë kontrollet e veta.
Kraja ka mbrojtur edhe faktin që Romela Begaj nuk ka më trajner Hektor Shaqirin, por të shoqin duke thënë se ajo ka pasur rritje në rezultate pasi në Olimpiadë ngriti 1 kg më shumë sesa në Europian ku doli nënkampione e Europës.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›