E Shtunë, 31 Tetor 2026

Afron mrekullia e 100 metrave

Mbretëresha e sporteve nis më 3 gusht, ndërsa kulmi i saj vjen shpejt. Më 5 të këtij muaji, në pistën e stadiumit olimpik në Londër do të dalin atletët më të shpejtë të rruzullit për të kërkuar titullin e 100 metrave. Mes tyre është edhe Johan Blejk, shoku i Usain Boltit dhe njeriu që e mundi atë vjet, në botëror.
 “Dihet se duhen pritur gjëra të mëdha kur në garë janë atletë të shpejtë dhe që japin kohë të shkëlqyera. Do të jetë Usain Bolton, Tajson Gej, do të jem unë, do të jenë Gejtlin dhe Asafa Pauell. Këta janë të gjithë djem të shpejtë dhe të gjithë duan medaljen e artë”, u shpreh ai.
Blejk mbiquhet “Bisha” dhe këtë epitet ia ka vënë pikërisht shoku i tij, i jashtëzakonshmi Usain Bolt.
 “Disa njerëz thonë se pseudonimi “Bisha” është i keq, por më mirë të jesh i tillë në pistë. Veçse, pas garës unë jam një djalosh i qetë. Ky epitet ka lindur nga puna ime shumëvjeçare, sepse unë stërvitem si bishë. Pikërisht Usain Bolt më quajti i pari “Bisha”. Me Boltin jemi miq e shokë, bëjmë shaka dhe kënaqemi. Por, në garë do të jetë ndryshe, secili do të shohë interesin e tij”, deklaroi Blejk.
Ndoshta mund të kemi një rekord të ri botëror. Kjo pritet. Në garë janë kampioni dhe rekordmeni olimpik, kampioni botëror, njeriu i dytë më i shpejtë në botë dhe njeriu që ka vrapuar më shumë herë se të gjithë nën 10 sekonda.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›