Deputetët e mendimit ndryshe parandiejnë rrezikun e përjashtimit
Pikëpamjet e ndryshme rreth zhvillimeve politike brenda Partisë Socialiste janë reflektuar edhe gjatë punimeve të kongresit të djeshëm. Kryetari Edi Rama deklaroi se shumë shpejt do të ketë riformatim të Asamblesë, Kryesisë dhe sekretariatit ndërsa rikonfirmimi i zërave ndryshe do të jetë në dorë të votave. Të kufizuar në fjalimet respektive të deputetëve të Lëvizjes për Mendimin Ndryshe, qëndrimet “opozitare” ndaj Edi Ramës kanë risjellë në vëmendje të bazës së partisë problematikën e brendshme që karakterizon periodikisht këtë forcë politike. Thuajse të gjithë anëtarët e njohur të LMN-së kanë ripërforcuar qëndrimet e tyre, duke dhënë madje vlerësime jo shumë optimiste edhe për Kongresin e djeshëm. Bie në sy në këtë kritikë publike që i adresohet kreut të PS-së, prononcimi i Kastriot Islamit dhe Ben Blushit, të cilët jo vetëm kanë dhënë një panoramë të asaj që shihet si stanjacion politik, por edhe si një mungesë e theksuar koherence dhe analize. “Në asnjë nga dokumentet nuk ka reflektim pse PS-ja po kthehet në parti liberale. S’e di se si do të mbështetej një sjellje radikale nga një parti liberale. Jam i sigurt se edhe nëse do të pyesni një numër anëtarësh të kongresit, nuk do të thoshin dot gjë”, tha dje për mediat Kastriot Islami, në një vërejtje që konstaton mangësi logjike mes drejtimeve programore dhe platformës së veprimit politik. Sipas tij, aktet e miratuar në kongres nuk i janë nënshtruar një diskutimi për sa kohë që edhe për një çështje me rëndësi si orientimi programor ka kaluar pa arsyetim. Për këtë problem është prononcuar edhe deputeti tjetër, Ben Blushi, i cili në të vërtetë ka vënë në dukje se Kongresi i PS-së sanksionoi në rrugë të tërthortë sugjerimet e bëra nga LMN-ja, që pas zgjedhjeve të 28 qershorit. Motoja “Përtej së majtës dhe së djathtës” ia ka lënë vendin tanimë rikthimit të selisë rozë në shtratin e vet tradicional, që me lëvizjet e fundit “prej lavjerrësi” është traumatizuar ndjeshëm. “Unë besoj se filozofia e majtë mund ta ndryshojë botën dhe natyrisht Shqipërinë. Besoj se PS duhet të pozicionohet qartë si një parti e majtë, në mënyrë që të marrë ato vota që nuk i mori dot në 28 qershor”, deklaroi Blushi. Një rikthim pra i detyruar i PS-së në hapësirat e veta tradicionale, por që gjithsesi nuk ka arritur që përputhjen ideore ta konvertojë edhe në homogjenizim sjelljeje politike. LMN mbetet edhe tani një lëvizje që pavarësisht peshës dhe pamjes së pastrukturuar institucionale, mban të gjallë dimensionin e opozitarizmit brenda PS-së. Lidhur me këtë të fundit, Islami, por edhe deputeti tjetër, Marko Bello, kanë paralajmëruar një mundësi çarjeje nëse hapësirat e debatit dhe tolerimi i alternativave do të asgjësohen plotësisht. “Fakti që nuk u përfshi oponenca kolektive, mund të çojë te më e rënda që mund të ishte një çarje e PS-së”, tha Islami, teksa Bello shtoi se “në rast se do të veprohet me gjueti shtrigash për të eliminuar ata që mendojnë ndryshe, kjo do ta rrudhë PS-në”. Presimi i opinionit me kritikë dhe sulme ndaj qeverisë është konsideruar nga ish-ministri i Financave, Arben Malaj, si një gjetje e gabuar që e ka zhveshur PS-në nga çdo mundësi reale e ofrimit të një alternative qeverisëse. “Aleati ynë duhet të jetë shpresa dhe jo frika, duhet të jetë kurajoja dhe optimizmi për të ardhmen. PS duhet të arrijë aleancën reale me grupet e prekura nga kriza...”, tha në fjalën e vet Malaj.
#